Sadik e shijon rikthimin me gol

Pasi ka luajtur 25 minuta në kampionatin filandez, sulmuesi shqiptar i ka zhvilluar 90 minuta të martën mbrëma në fitoren e Helsinkit me rezultat 2:1 ndaj KR Reykjavikut në ndeshjen kthyese të rrethit të dytë eliminues për Ligën e Kampionëve, derisa ka arritur ta shënojë golin e epërsisë në minutën e 66-të të ndeshjes.
“Ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme të luaja. Nuk kam menduar kurrë se kohëzgjatja e mbetjes jashtë fushës dhe rehabilitimi do të zgjasnin aq shumë. Mirëpo, kisha dhimbje, edhe pse mendoja ndryshe”, deklaroi futbollisti shqiptar nga Maqedonia.
“Fitorja ishte kryesisht e merituar. E mbajtëm topin dhe ishim ne që e zotëruam fushën”, ka thënë Sadik, skuadra e të cilit në rrethin e tretë eliminues për Ligën e Kampionëve do të përballet me ekipin skocez Celtic.
25 vjeçari ishte transferuar në Helsinki vitin e kaluar nga FC Lahti. Më parë, ai kishte luajtur edhe në KuPS, Arminia Bielefeld e Zulte Waregem.