Skrapari, sfidë përcaktuese për Kukësin
Trajneri Shahin Berberi dhe lojtarët janë me “këmbë në tokë” dhe e kanë të qartë se deri tani kanë bërë vetëm detyrën
Trajneri i Kukësit, Shahin Berberi, ashtu si dhe lojtarët që ai stërvit, janë optimistë se do të jenë rezultativë edhe në transfertën me Skraparin. Ata synojnë të marrin 3 pikët, që në këtë moment do të ishin shumë të rëndësishme në lidhje me objektivin e sezonit.
Kukësi, që ka bërë një paraqitje dinjitoze në 11 javët e deritanishme, duke fituar edhe në transfertë, pretendon të ruajë pozicionin aktual ne tabelë, pse jo dhe për ta përmirësuar atë. Stafi teknik dhe lojtarët janë përgatitur për të përballuar me sukses një tjetër betejë, atë në Skrapar, që për ta konsiderohet përcaktuese.
Trajneri Shahin Berberi, në prag të kësaj ndeshjeje është shprehur me shumë besim se ekipi i tij do të kthehet duarplot, edhe pse luan një nga transfertat më të vështira. Ekipi është në gjendje ta fitojë këtë ndeshje, rezultati i së cilës ka rëndësi të veçantë për Kukësin, ka theksuar trajneri Berberi, i cili nuk dëshiron ti vërë nën presion lojtarët e tij.
Pas Skraparit, Kukësi do të presë në fushën e tij Besëlidhjen, një rival i drejtpërdrejtë për superligën. Lojtarët e Kukësit gëzojnë një formë shumë të mirë dhe kërkojnë të marrin pikët maksimale në javët e mbetura të fazës së parë. Duke u nisur edhe nga pritja që kuksianët u kanë bërë skraparlinjve sezonin e fundit, kur të dy ekipet luanin në kategorinë e dytë, besojnë se sfida do të jetë korrekte.
Mbështetja Kukësi është një nga ekipet me mbështetje më të fuqishme financiare në kategorinë e parë, ndaj dhe rezultatet nuk kanë munguar. Presidenti Ram Geci, zv/presidenti Safet Gjici, kryebashkiaku Hasan Halilaj, si dhe donatorët e tjerë, po bëjnë maksimumin, që Kukësi të përfaqësohet për herë të parë në superligë.
Mjaft pozitiv është fakti që ata i kanë kushtuar rëndësinë e duhur edhe infrastrukturës, që është vërtet model në kategorinë e parë. Përveç korrektësisë në dhënien e rrogave, lojtarët e Kukësit kanë shpërblime për fitoret brenda dhe ato në transfertë. Gjithashtu, për ndeshjet jashtë donatorët dhe bashkia vënë në dispozicion të tifozëve mjete transporti falas.