Selimaj: Gramozi nuk shënon në portën tonë
Portieri shkodran, Erind Selimaj, beson se ekipi i tij do të bëjë adetin ditën e diel, kur do të presë ekipin kolonjar
Luftëtari rezulton të ketë deri tani sulmin më rezultativ, veçanërisht në fushën e tij, ku ka regjistruar vetëm fitore. Në portën e tij, gardian në 11 ndeshjet e kampionati ka qëndruar vetëm shkodrani Erind Selimaj, i cili në Gjirokastër ka pësuar 3 gola, por janë 6 ekipe të tjera, që në fushat e tyre kanë pësuar më pak dhe një tjetër po 3, madje Besëlidhja dhe Kukësi, që janë edhe rivalët më të afërt të tij, nuk kanë pësuar gol në shtëpi.
Të dielën Luftëtari pret Gramozin dhe më pas ndeshet me Adën në transfertë, pret në vazhdim Kukësin dhe e mbyll fazën e parë në Mamurras. Ndër këto përballje, më e lehta duket e para, ku detyrimisht duhen fituar 3 pikët. Ndërkaq, duhet të rikujtojmë se asnjëherë nuk duhet shkuar me mendimin e diferencimit të ndeshjeve, pasi përvoja më e gjerë se ajo e futbollit tregon se e keqja të vjen andej nga se pandeh.
Pra, afër finishit të fazës së parë Luftëtari do të duhet të jetë shumë i kujdesshëm, në mënyrë që të shpallet kampion i dimrit e të ndihet i ngrohtë. Ndeshjet duhen marrë me radhë dhe duan shërbimet përkatëse, sipas kundërshtarit dhe fushës, ku do të luhet. Duhet organizim, menaxhim dhe mendim.
Selimaj Portieri Erind Selimaj shprehet: Kemi pësuar 2 humbje, me Besëlidhjen dhe së fundi me Gramshin, të dyja në transfertë dhe 1-0. Është më se e qartë që do të ishte e shkëlqyer të mos i pësonim, por kjo nuk varet plotësisht nga ne që luajmë, sepse ka raste që gjyqtarët ndikojnë së tepërmi, madje e nxjerrin ndeshejen si të duan ata, por edhe fati luan aq shumë, sa ndonjëherë një ekip thyen shtyllat dhe traversën e portës kundrshtare, por humbet.
Luftëtari është kryesues me meritë të plotë dhe vetëm përpara duhet të përqendrohet me gjithë energjitë e tij. Presim Gramozin, që realisht nuk ka nivelin e Luftëtarit, por ka dëshirën e madhe për të fituar me të, ose edhe të barazojë, jo vetëm për të marrë pikë, por edhe për tu krenuar se nuk u mposht nga kryesuesi. Kjo është mani e gjithë ekipeve në çdo kampionat në botë, sepse të gjithë duan të mposhtin mbretin.
Mendimi im është se Luftëtari i ka të gjitha mundësitë, pavarësisht nga disa mungesa, që të realizojë fitoren e radhës në fushën e tij. Personalisht, kam parandjenjën se nuk do të pësojmë gol, jo vetëm për meritën timen, por për aftësitë e gjithë ekipit në kompleks. Pra, pa nënvlerësuar mbrojtjen në asnjë rast, fitorja do të vijë nga shënimi i të paktën një goli, sepse Luftëtari disponon disa gjahtarë goli, që qëllojnë në objektiv.
3 gola ka pësuar portieri Erind Selimaj në 6 ndeshjet e zhvilluara deri tani në Gjirokastër
11 ndeshje është aktivizuar titullar portieri shkodran, duke mos munguar asnjëherë deri tani
