E Shtunë, 31 Tetor 2026

M.Toçi: Elbasani ska kohë për të tjera gabime

Nga Elton Karaj

Mesfushori verdheblu, Mateos Toçi, thekson se ekipi do të tregojë tjetër fytyrë, duke nisur nga ndeshja me Vlorën

Brenda një jave, Elbasani ka pësuar 3 humbje, 2 në Kupën e Shqipërisë me Bylisin dhe një në kampionat me Burrelin. Por ajo që djeg është humbja në kampionat, pasi ato të kupës nuk u bëjnë shumë përshtypje verdhebluve. Të mërkurën, stafi teknik aktivizoi shumë të rinj ndaj Bylisit, sepse puna është e përqendruar te ndeshja me Vlorën, që do të luhet të dielën në stadiumin Ruzhdi Bizhuta. Elbasani ndodhet në një moment të vështirë në kampionat, pas rezultateve zhgënjyese të ndeshjeve në transfertë, por përsëri ka besim se ekipi do të rifutet në rrugën e duhur.

Trajneri File pritet ti ketë të gjithë lojtarët në dispozicion për ndeshjen e radhës, ku e vetmja alternativë është fitorja. Verdheblutë kanë marrë maksimumin e pikëve në fushën e tyre dhe e njëjta gjë parashikohet të ndodhë edhe ndaj vlonjatëve.

Toçi Mesfushori Mateos Toçi, i cili u la pushim nga trajneri File në mesjavë, thekson për “Sportin shqiptar” se autokritika nis me Vlorën, ku fitorja është detyrim, sepse çdo rezultat tjetër i përkeqëson pozitat e Elbasanit: “Është e qartë se kemi bërë shumë gabime deri tani dhe kemi mbetur prapa me pikë, por nuk është momenti të shohim pas. Ajo që ka kaluar nuk kthehet më dhe e rëndësishme është që të mos përsëriten të njëjtat gabime edhe në vazhdim.

Mendoj se, duke filluar nga ndeshja më Vlorën, ekipi do të tregojë një tjetër fytyrë. Duhet të kemi stabilitet në rezultate, që do të thotë se duhet të fitojmë edhe jashtë fushe. Sa nuk është vonë, duhur të rikuperojmë pikët e lëna në javët e mëparshme. Vështirësitë do të shtohen gjatë kampionatit, por një ekip me përvojë, siç është Elbasani, pikërisht në këtë situatë duhet ta tregojë se është i denjë për të qenë në kreun e tabelës.

Le ti marrim ndeshjet një nga një dhe të marrim sa më shumë pikë në ndeshjet e mbetura të fazës së parë, ku gabimet janë të ndaluara, sepse kanë kosto të lartë. Jemi të vetëdijshëm që nuk do ta kemi të lehtë, por gjithashtu besojmë se mund tia dalim për të ngjitur Elbasanin në superligë, ka thënë Mateos Toçi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›