Saga e Everestit

Gjithçka përfundoi dhe ndërsa ata ecnin dalë nga dalë në brendësi të sistemit të aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas, ishin me dhjetëra ata që i prisnin aty jashtë. Jo vetëm media, por edhe shumë familjarë, disa njerëz të pushtetit si dhe mjaft dashamirës.
Tashmë ata shfaqen që të gjashtë, të gjithë heronjtë shqiptarë që pushtuan majën më të lartë të botës, Everestin apo Xhomolungmën.
Pasi ua dëgjuam zërin në majë të malit, dhe pasi pritëm triumfalisht Xhim Begenë me të birin, Mateon, tani çeta e vogël është bërë bashkë.
Ata ishin sipas moshës Mateo Begeja, Erlin Rudho, Gerti Pishtari, Fation Plaku, Gjergj Bojaxhi dhe Xhimi Begeja. Alpinistë të shoqatës “Dajti Alpino-Turistik”.
Pritja ishte vërtet shumë e bukur, në një podium sikur të ishin Barcelona apo Dortmundi dhe padyshim me flamurin shqiptar që sot duket kaq shumë natyrshëm në modë, krejt ndryshe nga 20 vjet më parë.
Pas këtij spektakli, që sikur mpin disi lodhjen e tmerrshme të alpinistëve, janë dy prej protagonistëve që flasin, Gjergj Bojaxhi dhe Fation Plaku. Si fillim një falenderim.
Fati ishte me ta dhe krahët mund të ngrihen lart lirshëm dhe lumturisht. Gjithsesi, gjashtë shqiptarët nuk do të na shqiten lehtë dhe në asnjë heroizëm në të ardhmen nuk do të presin t’u shikojnë shenjat e fatit. Ata do të vazhdojnë të guxojnë.