E Shtunë, 31 Tetor 2026

Saimir Strati, tenton të thyejë një tjetër rekord Gines

Autori i Lajmit: red.
Artisti Saimir Strati, i njohur si shqiptari që ka hyrë dy herë në "Guiness Ëorld Record", libri më i madh i rekordeve në botë, do të tentojë edhe këtë shtator të thyejë një tjetër rekord Gines, por kësaj herë për mozaikun më të madh me tapa vere. Piktori tashmë po përgatitet të nisë punën e tij më 8 gusht në Hotel Sheraton në Tiranë, për krijimin e këtij mozaiku me subjekt mesdhetar me përmasa afërsisht 92 metra katrorë. Përfundimi i këtij mozaiku më 4 shtator, do t i jepte një tjetër vlerësim bashkangjitur me dy rekordet Gines që mban mbi supe. Një vit më parë, Strati arriti që me 1 milion kunja dhëmbësh dhe me të paktën 13 orë punë në ditë, të realizonte në Tiranë mozaikun më të madh në botë, me shkopinjtë e hollë që përdoren rëndom nga gjithkush, por pa i shkuar ndër mend se ato mund të përbëjnë lëndën e parë për një vepër arti. Fantazia e tij "kapriçioze" e nxiti kësaj here të ndërtojë një kalë në vrapim, me përmasa 4x2, të vendosur mbi një platformë prej polisteroli dhe gomë të bardhë. Më 4 shtator 2007, piktorit iu dha çmimi “GËR” për mozaikun më të madh me kruajtëse dhëmbësh në të gjithë planetin. Në vitin 2006, ai realizoi portretin e Leonardo da Vinçit, 8 metra katrorë, të cilin e realizoi me 500 mijë gozhdë tringjyrëshe, me një peshë rreth 700 kilogramë dhe me të cilin theu rekordin Guiness. Scott Christie, anëtar i jurisë së çmimit Guiness, i ardhur posaçërisht nga Londra në Tiranë, dy vite më parë u shpreh se vepra e tij është diçka krejt unikale dhe spektakolare. "Nuk ka pasur asnjëherë më parë një mozaik të bërë me gozhdë", - ishte shprehur atëherë Christie për shtypin. Në fakt, ideja e një mozaiku të punuar me lëndë të papërdorura më parë ishte e vetë piktorit, që gjithmonë pati ëndërruar të kishte emrin në Librin e Rekordeve Guiness. Edhe zgjedhja e autoportretit të Leonardo da Vinçit nuk ishte e rastësishme për piktorin, i cili e konsideron Da Vinçin si "njeriun që e arrinte atë që për të tjerët ishte e paarritshme". Strati, prej 17 vitesh krijon mozaikë, jo vetëm dy, por edhe tredimensional. Ai është kërkues i lëndës "gurit" të mozaikut që nga lëvozhgat e vezës, qelqi, e deri tek disqet. Tre vjet më parë realizoi me 400 disqe në përmasat pak më shumë se natyralja, portretin-mozaik të Adriano Çelentanos. Pas Agim Agushit, shqiptari që hyri në Librin Guiness për rekordin e mbajtjes së topit me kokë, Strati ishte i dyti shqiptar që hyri në librin e çudirave botërore, por i vetmi në fushën që ka zgjedhur. Ai është diplomuar në pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura, më 1989 dhe po këtë vit fitoi çmimin e parë në Konkursin Kombëtar të Arteve të Aplikuara. Ka punuar si restaurator i mozaikëve në sitet antike të Butrintit, Apolonisë dhe Bylisit. Në 1996 hapi ekspozitën e parë personale. Tre vjet më pas çeli një ekspozitë, ku prezantoi bashkë me pikturën edhe punët e para në mozaik. Libri i rekordeve Guiness, që botohet çdo fillimviti, është botuar për herë të parë në vitin 1951, falë anglezit Hufh Beaver. Tashmë kanë kaluar 56 vjet që libri botohet në 100 vende të botës, në më shumë se 20 gjuhë të planetit.
Ky lajm është publikuar: 06/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›