E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apolonia pushtohet nga kosovarët

Autori i Lajmit: red.
Edhe gjatë muajit korrik në Parkun Arkeologjik Apolonia është konfirmuar tendenca në rritje e numrit të vizitorëve. Sipas drejtorit të këtij Parku, Marin Haxhimihali, numri i turistëve të huaj gjatë këtij muaji ka qenë 20% më i lartë sesa në të njejtën periudhë të vitit të kaluar. Por rritja më e dukshme në krahasim me korrikun 2007 i përket numrit të turistëve vendas e sidomos të atyre të ardhur nga Kosova. “Në bazë të statistikave tona, që u referohen biletave të shitura, numri i personave shqipfolës që kanë vizituar Apoloninë është dyfishuar në krahasim me korrikun e një viti më parë”, – thotë drejtori Haxhimihali, i cili sqaron se kjo rritje i dedikohet kryesisht ardhjes së turistëve kosovarë. “Është një fenomen i ri me të cilin nuk ishim përballur në dy vitet e para të ekzistencës së parkut arkeologjik. Turistët kosovarë, të ardhur për të pushuar në plazhet e Adriatikut dhe Jonit, këtë vit duket se janë më të ndjeshëm edhe ndaj turizmit kulturor”, - pohon Marin Haxhimihali. Përmirësimi i ndjeshëm i infrastrukturës rrugore nga njera anë dhe reklama e bërë nga Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Arkeologjik Apolonia pranë strukturave turistike, brenda dhe jashtë vendit, duket se po i japin frytet e tyre. Familje të tëra nga Kosova e viset shqiptare të Maqedonisë vijnë për të vizituar Apoloninë ku në mjaft raste kalojnë edhe një gjysmë dite. Kureshtje të veçantë ndaj monumenteve të Parkut dhe historisë së qytetit të lashtë tregojnë sidomos ata që punojnë përkohësisht në Perëndim e që nuk është e vështirë t i dallosh nga targat e makinave nga Zvicra, Gjermania, Austria etj. Zyra e Administrimit dhe Koordinimit e Parkut Arkeologjik Apolonia i është përgjigjur kësaj situate duke përforcuar shërbimin me guida shoqëruese në shqip e gjuhë të huaja si dhe duke zgjeruar orarin e vizitave përtej orarit normal duke e bërë Apoloninë të vizitueshme që nga mëngjesi e deri në rënien e muzgut. Stafi i kësaj zyre është tërësisht i impenjuar në pritjen e vizitorëve. Ndonëse një bilanc i qartë i vizitueshmërisë do të bëhet në përfundim të sezonit turistik, që tani mund të thuhet se 2008 ka qenë një vit i mbarë për turizmin kulturor në Apoloni.

Ky lajm është publikuar: 06/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›