E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Sakrifikoj shkollën, fehrexhenë nuk do ta heq”

• Përjashtohen nga shkolla sepse mbanin ferexhe. Dy motra nxënëse të shkollës "28 Nëntori" në lagjen e Laprakës në kryeqytet nuk janë lejuar të hyjnë në mësim për shkak të veshjes fetare.Gentjana Hasani, nxënëse e klasës së tetë bashkë me të motrën Marselën, që ndiqte klasën e 6-të kanë rreth një muaj që qëndrojnë në shtëpi. Përballë reagimit të drejtoreshës së shkollës, Lirie Ahmeti, e cila e ka argumentuar përjashtimin  me ligjin që nuk lejon simbolet fetare në shkolla, prindërit e dy vajzave janë të palëkundur. Ata nuk pranojnë asnjë argument për t'i bindur se e vetmja mënyrë që dy vajzat të rinisin mësimin është heqja e ferexhesë. Në një prononcim për TCH, ato kanë të drejtë të shkollohen edhe pse mbajnë këtë veshje. "Unë dua që vajzat e mija të arsimohen dhe s'kanë pse të detyrohen të heqin ferexhenë. Ai është një detyrim ndaj Allahut dhe vajzat e dinë këtë gjë. Duan ta mbajnë, nuk ka pse t'i ndalojë kush", thotë Medat Hasani, i ati i vajzave. Ai pohon se, do ta çojë këtë problem edhe në rrugë gjyqësore. Sipas dy vajzave, edhe pse në shkollë është vendosur uniforma këtë rregull nuk e zbaton askush. "Nuk e kuptoj pse duhet jetë problem veshja ime, kur unë zbatoj të gjitha rregullat e shkollës, unë s'kam shkaktuar asnjë problem. Në shkollë vajzat vijnë pa uniformë, me barkun përjashta dhe me rroba të ngushta, s'ka pse të jem unë problemi", thotë Gentjana, më e madhja e motrave. Ajo pohon se, do të arsimohet, por do të sakrifikonte dijet e shkollës për fenë islame. "Unë edhe të shkollohem, edhe të ndjek rregullat e Allahut, që të ndihmoj të tjerët. Por nëse më duhet të zgjedh mes të dyjave, patjetër që do të mbaj ferexhenë", thotë vajza. Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit për shkollat 9-vjeçare dhe të mesme thuhet se, çdo shkollë duhet të ketë uniformë. Ajo caktohet nga nxënësit, prindërit dhe mësuesit. Më pas secili prej tyre është i detyruar ta zbatojë këtë kusht të vendosur në rregulloren e shkollës. Por në pjesën më të madhe të shkollave tona nxënësit shkojnë të veshur sipas dëshirës. Problematike mbetet veshja e vajzave, që shpeshherë i kalon kufijtë e ekstravagancës. E ndërsa për to nuk ka asnjë ligj që t'i pengojë, veç rregullores së shkollës, sipas ligjit simbolet fetare në shkolla nuk lejohen. Për sa kohë ferexheja është njëri prej tyre në fenë islame, masa të tilla nga drejtuesit e shkollës janë të ligjëruara.MASH: Shkollat janë laikePër Ministrinë e Arsimit moslejimi i simboleve dhe veshjeve fetare në shkolla është i përcaktuar në një ligj të veçantë. "Marrja e kësaj mase është e mbështetur ligjërisht. Shkollat janë laike", sqaron zyrtarisht MASH. Sa i përket uniformës në shkolla, sipas këtij dikasteri është nxjerrë një udhëzim i posaçëm për vendosjen e saj në secilën prej tyre. "Ministria ka nxjerrë një udhëzim të veçantë për uniformën në shkolla. Sipas këtij udhëzimi, do të jenë vetë nxënësit, prindërit dhe mësuesit që do ta përcaktojnë atë dhe më pas duhet të vishet nga të gjithë", bën me dije Ministria e Arsimit. Sipas këtij dikasteri, i takon drejtorive të shkollave dhe atyre arsimore që të kontrollojnë dhe të marrin masa për zbatimin e kësaj rregulloreje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›