Salamworld, Facebooku i myslimanëve

Ka kohë që myslimanët po frikësohen se interneti po “prishë” rininë e tyre. Në disa shtete myslimane, si në Iran dhe Turqi, filtrat islamik të internetit ose janë të obligueshëm ose preferohen dhe ofrohen nga shteti dhe tashmë ka projekte për hapjen e një faqe myslimane të kërkimit.
Tani pritet të hapet edhe një Facebook i myslimanëve: Salamworld është planifikuar që fillimisht të ketë 50 milionë anëtarë. Por kërkohet më shumë: sipas informatave të organizatorëve sot ekzistojnë rreth 300 milionë shfrytëzues të Facebookut dhe pritet që brenda 10 viteve numri i shfrytëzuesve të jetë dyfish më i madh. Është ky pikërisht tregu, të cilin synon ta pushtojë Salamworld. Shpresa është jo vetëm joshja e shfrytëzuesve, por që ata të binden që të largohen në tërësi nga Facebooku.
Por si? Për dallim nga Facebook, rrjet ky i cili filloi punën pa para dhe mbështetje dhe i cili tani vlenë disa qindra miliardë dollarë, Salamworld do të fillojë punën me një buxhet prej disa miliona dollarë dhe me zyre të shtrenjta në Stamboll, Kajro dhe në disa ish-republika sovjetike në Azinë Qendrore dhe rrezikon, që pas gjithë mundit të bërë, në fund të mos e josh askënd.
Salamworld është projekt i biznesmenëve rusë dhe turqë me Seli në Stamboll, ku edhe gjendet qendra e rrjetit. Nga mesi i shkurtit, aty u organizua konferenca themeluese, në të cilën morën pjesë 250 persona. A besojnë biznesmenët nga Azia Qendrore, të cilët po e financojnë projektin, se në këtë mënyrë do të mund të përfitojnë?
Njëri nga themeluesit është Ahmed Azinov, nga Dagestani, i cili punon dhe jeton në Moskë. Tjetri është Abdulvehab Nijazov, një funksionar islamik në Rusi, me prejardhje tatare. Azimov lë të kuptojë se synimi është që të përfitohet nga reklamat: për shembull nëse bombardohet sërish Gaza, atëherë prodhuesit e flamujve palestinezë mund të fitojnë shumë nëpërmjet Salamworldit.
Shembulli i përmendur tingëllon si mjaft politik, aq më parë kur dihet se Salamworld ka shprehur synimin që të jetë një rrjet jo-politik.
Ekspertët theksojnë se në bazë të strukturës së projektit, ka indikacione se prapa tij qëndron lëvizja islamike turke, Gulen.
Nijazov lavdëron imamin reformator islamik, Fetullah Gulenin, si dhe babanë tashmë të ndjerë të islamit politik në Turqi, Necmetin Erbakanin, i cili u angazhua për fitoren globale të islamit dhe i cili njihej për qëndrimet e tij anti-semitiste.
Lëvizja Gulen thuhet se ushtron ndikim në qeverinë e Turqisë, ka shumë para dhe është tejet aktive në ish-republikat sovjetike në Azinë Qendrore.
Nëse Salamworld me të vërtetë do të ketë një dimension të fshehur politik dhe nëse me të vërtetë joshë shfrytëzuesit, atëherë kjo platformë do të mund të shfrytëzohej edhe për mobilizimin e myslimanëve në gjithë botën, për të organizuar protesta dhe aksione politike. Ndër të tjera, është paraparë që shfrytëzuesit të kenë mundësi të publikojnë ligjërata religjioze.
Salamworld gjithashtu ka paraparë që mos të lejojë publikimin e përmbajtjeve dhe materialeve jo-islamike dhe krijimin e një enciklopedie islamike, sipas shembullit të Wikipedias, e cila do të aktualizohet nga shfrytëzuesit për shfrytëzuesit, thotë Nijazov.
Për materialet të durueshme për islamin do të përkujdeset modelimi i ashpër i materialeve në tri nivele. Me gjasë do të ketë edhe filtra islamikë. Qëllimi është që myslimanëve t’iu ofrohet mundësia që të hyjnë “pastër” online. Por çështja është se a e dëshirojnë myslimanët një gjë të tillë. Numri më i madh i kërkesave që ndërlidhen me seksin në Google vijnë pikërisht nga shtetet myslimane, si Pakistani.
Nijazov thotë se i vjen keq që në botë ka ende ateistë, por thotë se nëse ata pranojnë parimet kryesore të Salamworldit, kjo faqe do të jetë e hapur edhe për ta.
Salamworld është paraparë që punën ta fillojë gjatë verës, në fillim të muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit.