Saleh fajëson kryengritësit për sulmin kundër tij
Një regjistrim audio, që thuhet se është bërë nga presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Saleh, është transmetuar nga televizioni shtetëror i vendit, disa orë pas një sulmi ndaj një xhamie në kompleksin e tij presidencial.
Media shtetërore jemenase thotë se sulmi la të vrarë tre roje dhe një imam.
Zëri që i atribuohet presidentit Saleh, ai iu falënderua bashkëkombësve e tij jemenas, për shqetësimin e tyre mbi gjendjen e tij. Ai i siguroi ata se ishte mirë.
Ai gjithashtu u uroi shërim të shpejtë personave të tjerë të plagosur gjatë sulmit dhe u shprehu ngushëllimet e tij familjeve të të vrarëve.
Presidenti Saleh u plagos nga një sulm me raketë ndaj xhamisë presidenciale në Sana, gjatë lutjeve të së premtes. Sipas njoftimeve, Saleh po mjekohet në një spital ushtarak.
Sulmi, i pari i këtij lloji ndaj kompleksit presidencial, u krye gjatë luftimeve të ashpra mes trupave qeveritare dhe forcave fisnore në kryeqytet, ndërkohë që po vazhdon dhuna në qytete të tjera jemenase, duke i sjellë trazirat në zemër të qeverisë.
Një zëdhënës i qeverisë së Jemenit theksoi se Saleh është në gjendje të mirë shëndetësore.