“The Economist”: Shqipëria e padisiplinuar
Përmes një analize, revista prestigjioze britanike “The Economist”, i referohet zhvillimeve të atyre vendeve të Ballkanit, që aspirojnë të jenë pjesë e bllokut, duke përmendur edhe Shqipërinë.
“Nëse Kroacia, madje edhe Serbia bëhen pjesë e saj, politikanët e Bosnjës të përfshirë në konflikte do të kenë një detyrë të vështirë, për t’u shpjeguar zgjedhësve pse mbetën të braktisur, jashtë BE-së.
E njëjta gjë është dhe për Shqipërinë e padisiplinuar”, shkruan “The Economist”, e cila vlerëson se Shqipëria, “pas disa vitesh përparimi, rrezikon t’i kthehet edhe njëherë gjendjes së pashpresë”.
Sipas revistës, dyshimet më të mëdha brenda Bashkimit Evropian janë se vendet e ashtuquajtura “Jugo-sferë”, plus Shqipërinë, do të jenë si Rumania dhe Bullgaria, të pranuar para kohe, ku krimi i fshehtë dhe korrupsioni ende nuk janë zgjidhur.
Analiza në revistën prestigjioze vjen pas arrestimit të Ratko Mladicit, ish-gjeneralit serbo-boshnjak të akuzuar për krime lufte.
“Kur ai ishte në liri, Bashkimi Evropian kishte një arsye të besueshme për t’i dredhuar anëtarësimit. Por tani, ndërsa ka përmbushur standarde të vështira për anëtarësim, Serbia duhet të pranohet”, shkruan “The Economist”.
Kjo vlen edhe për kërkesat e ish-vendeve të Jugosllavisë, Bosnjës, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, por edhe Shqipërisë, theksoi gazeta.