E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi: Hani është i çuditshëm, Stërvitjet i shndërron në argëtim

E mbylli këtë sezon me 14 gola, si asnjë legjionar tjetër nga radhët e kuqezinjve. 

Ai ishte gjithashtu, i pari që shënoi në fitoren 3-1 kundër Shafhauzenit, e megjithatë Hamdi Salihi tregohet i përmbajtur dhe pohon se do t'i duhet shumë punë që të mund të sigurojë një vend titullari. "Vendi i titullarit? Askush nuk e ka të sigurt. Ari Han ka një të mirë që nuk të bën premtime kot. Kam vënë re se sillet korrekt, por askujt nuk i bën premtime se do ta aktivizojë si titullar, apo gjëra të tilla të ngjashme dhe mendoj se kjo është një gjë e mirë", ka thënë Salihi për "Panorama". Shkodrani i referohet ish-teknikut Bariç, i cili megjithëse shumë herë para ndeshjeve i thoshte se do të luante dhe e karikonte së tepërmi lojtarin, në fund e linte në stol, çka nuk i ka lënë shije aspak të mirë Salihit. Ari Han, gjithnjë nëse e bëri ai listën për miqësoret e marsit, të cilat nuk u zhvilluan, nuk e futi emrin e Salihit te të grumbulluarit. "Mendoj se duhet lënë pas ai rast. Unë jam shumë i lumtur që jam pjesë e skuadrës dhe do të bëj më të mirën për të fituar besimin e trajnerit. Padyshim që nuk e prisja të mbetesha jashtë atëherë, por nuk mund të polemizoja, pasi gjithnjë i kam respektuar vendimet e trajnerëve, edhe kur ato nuk më kanë pëlqyer", ka thënë Salihi. 24-vjeçari nuk dëshiron që të japë vlerësime për teknikun holandez, por nuk mund ta mohojë se i ka bërë shumë përshtypje mënyra se si punon Ari Han. "Unë nuk mund të bëj specialistin dhe të analizoj Ari Hanin, sepse është ai që në studion dhe na vëzhgon neve. Megjithatë, më duhet të pohoj se më pëlqen mënyra se si punon, ose më saktë, impakti i parë i punës me të është shumë pozitiv. Është një trajner që i kushton shumë rëndësi taktikës dhe vendosjes në fushë të lojtarëve. Më pëlqen gjithashtu, fakti që është njeri alegro dhe përpiqet që të mos krijojë gjendje monotone në skuadër dhe ta shndërrojë stërvitjen në një proces normal pune, por edhe të improvizojë diçka, sidomos gjatë ushtrimeve me top ku përveçse punohet edhe argëtohesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›