E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelsi mes polemikave për penalltinë e Territ

Ndërsa Ferguson thotë se ka grupin e futbollistëve më të mirë që ka stërvitur ndonjëherë, "dështaku" Avram Grant ende nuk di për të ardhmen e tij në lidhje me qëndrimin në "Stamford Bridge", por megjithatë, ai beson se e përmbushi detyrën e tij për të kthyer Çelsin në një ekip me futboll të bukur. 

 "Nuk mund t'ju them se jam i lumtur, por jam krenar për lojtarët dhe mënyrën sesi ata luajtën gjatë këtij sezoni. Mendoj se e përmbushëm detyrën tonë këtë vit. Për fat të keq e humbëm finalen, por mendoj se të gjithë këtu te Çelsi mund të jenë optimistë, pasi skuadra e konfirmoi forcën e saj. Nga muaji në muaj jemi përmirësuar, madje edhe në Moskë luajtëm më mirë se skuadra e trajnerit që deklaron se ishte sezoni më i bukur i historisë së tij. Nuk është e vështirë të humbasësh në penallti, sidomos kur dominon gjithë lojën dhe lojtarët janë të lodhur. Gjuajtëm shtyllë, gjuajtëm traversë, bëmë më tepër gjuajtje se ata, shkuam deri në fund të 5-shes së penalltive me avantazh, por nuk mundëm të gëzonim. Ishte fatkeqësi humbja e penalltisë dhe jo faji i Territ, i cili e udhëhoqi klubin drejt finales. Nuk ishte sezon normal për ne. Patëm probleme të shumta në fillim dhe Terri ishte njeriu që mbajti gjithë përgjegjësitë, duke ngritur deri në këtë lartësi Çelsin. Nuk duhet ta fajësojmë atë për humbjen e finales. Ai është futbollist i madh dhe kapiten i madh, i cili edhe në finale luajti në mënyrë fantastike dhe nuk i lejoi asnjë hapësirë kundërshtarit", tha Grant.
Ten Kate
Ndihmëstrajneri i Çelsit, Henk Ten Kate, zbulon se Didier Drogba ishte menduar për gjuajtjen e penalltisë, e cila ndëshkoi blutë e Londrës. Sipas holandezit, kartoni i kuq i marrë nga afrikani Drogba, pak minuta para përfundimit të takimit, bëri që skema e llogaritur për penalltitë të ndryshohej. "Terri nuk ishte planifikuar të gjuante në pesëshen e parë të penalltive, kjo ndodhi kur Drogba u largua me të kuq. Nuk duhet të kishte ndodhur ashtu me Didierin, pasi për penalltitë me të ishim përgatitur gjatë gjithë javës së shkuar dhe isha shumë i bindur se do të fitonim. Gjithsesi, Xhon Terri ishte i pafajshëm në atë moment". Piter Çeh beson se fati ishte përcaktuesi i finales së Moskës, ku skuadra e tij doli kokulur. "Kur gjuajti Terri, pashë që portieri u hodh në krahun tjetër dhe mendova se u shpallëm kampionë Evrope, por nuk deshi fati, ashtu si në dy goditjet e shtyllës gjatë minutave të lojës. Ishte një zhgënjim i madh".

K.Ronaldo rindez shpresat e Realit
Asi i Mançester Junaitid, Kristiano Ronaldo, shënoi golin e parë të finales së Moskës, si dhe humbi penalltinë, por gjithsesi lajmi më i mirë për tifozët e "Djajve të Kuq", është se ai nuk do të largohet nga Anglia edhe pse ofertat e Realit të Madridit për të nuk rreshtin së ardhuri. Më saktë kjo ishte ajo çfarë Ronaldo deklaroi pas ngritjes së trofeut në Moskë. Portugezi i cili me lojën e tij ka udhëhequr Mançesterin drejt titullit kampion dhe finales së Moskës, u shfaq i mallëngjyer pas fitores së Ligës së Kampioneve.

Van der Sar: Mançesteri pati fat
Portieri holandez, 37-vjeçar, që falë pritjes së gjuajtjes së Nikola Anelkës i dha trofeun e Ligës së Kampioneve, të tijve, deklaroi se fitorja e madhe në Moskë erdhi edhe pak me fat. "Na ndihmoi fati në gjuajtjen e Xhon Territ. Jeta dhe futbolli mund të ndryshojë në disa momente të paimagjinuara. Penalltitë tregojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë cilësinë e lojtarit dhe duhet të kesh kujdes në pritjen e topit. Të gjithë nuk donim që ndeshja të shkonte me penallti. Ishte e mrekullueshme. E parandieja që gjuajtjen e Anelkës do ta pritja".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›