E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkumbini, largimet me zarf dhe reforme.Rikthehet Magani

Presidentit të Shkumbinit, Xhavit Ismaili, i ka lindur në kokë një ide origjinale. Ai dëshiron që për vitin e ri t'u dhurojë të gjithë futbollistëve nga një kartolinë. Seicila prej tyre do të jetë e mbyllur në një zarf dhe do të mbajë brenda saj një mister që do të zbulohet nga vetë lojtarët bardhekaltër. Një gjë të tillë e bëri të ditur vetë presidenti bardhekaltër Ismaili në një takim që zhvilloi dje në mesditë në ambientet e stadiumit të qytetit me skuadrën. Ndër të tjera ai u shpreh: "Do t'u dërgoj të gjithëve nga një kartolinë për vitin e ri të mbyllur në një zarf. Brenda do të ketë kartolina urimi për ju dhe në ndonjë prej tyre do të jetë thjesht një fletë e bardhë. Ai futbollist që do të ketë kartolinën e urimit, do të mbetet pjesë e skuadrës edhe në të ardhmen, ndërsa dikujt që i bie fleta e bardhë do të thotë që është i padëshirueshëm te Shkumbini".
Ismaili kërkon reformën në skuadër
"Te Shkumbini nuk do të ketë askush vend, nëse ja ka me hile skuadrës, neve si drejtues dhe popullit peqinas. Po ju bëj me dije se deri në fund të këtij muaji, që është dhe fundi i vitit, skuadra do të jetë e njëjtë dhe, pas kësaj date, gjërat do të shkojnë në vendin e vet. Disa lojtarë, ashtu sic ju bëra të ditur, do të largohen dhe ne do të hyjmë fuqishëm në merkato. Nuk mund të mbaj dot mbi supe atë barrë që na u ngarkua në ndeshjen me Tiranën, por fajtorët do të ndëshkohen dhe kjo që them nuk ka asnjë dyshim. Për mua më shumë vlen ndershmëria dhe serioziteti për të zhvilluar në mënyrën më të ndershme futbollin në qytetin tonë dhe jo kompromiset që mund të bëhen në kurrizin tonë".
Rikthehet Magani
"Gugash Magani do të jetë përsëri trajneri juaj", u është drejtuar presidenti Ismaili futbollistëve të tij sot në mesditë. "Unë e kam theksuar që ditën e shtunë, këtë skuadër do ta drejtojë përsëri Magani. Nëse ky njëri nuk do ta pranonte ftesën time, atëherë unë sot (dje) do të jepja dorëheqjen". Jam i bindur se trajneri juaj është i ndershëm dhe tepër i apasionuar për futbollin dhe nuk meriton të qëndrojë larg futbollit në këtë qytet". Menjëherë pas fjalës së presidentit, Magani ka pranuar ta drejtojë përsëri skuadrën dhe një gjë e tillë do të ndodhë që në seancën e sotme, në prag të ndeshjes në transfertë me Besëlidhjen.
Burimi: Mikel Bizhyti, Gazeta Sporti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›