E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi, gati për sfidat e reja me Rapidin

Gjatë periudhës së verës, Rapidi ka larguar dyshen e sulmit, e cila sezonin e kaluar prodhoi 50 gola. Por një gjë e tillë nuk i ka shqetësuar shumë gjigandët e Austrisë, për faktin se ata besojnë që golat e sezonit të ri do të garantohen nga dyshja Salihi-Jelaviç, blerjet e orës së fundit të merkatos.
Interesimi - Shqiptari, ish-sulmuesi i Riedit, nuk shikohet vetëm si një golashënues nga bardhjeshilët. Ai ka qenë një objekt dëshirash i Rapidit që prej më shumë se dy vitesh, kur trajneri Peter Pakult dëshironte ta merrte në skuadër. Por atëherë e humbën për pak. "Ne e kërkuam që para dy vitesh. Pas kalimit te Riedi ai është përmirësuar shumë, ashtu siç e kisha imagjinuar", pohon Pakult. 25-vjeçari shqiptar nuk pati shumë kohë për të kaluar me skuadrën e re të tij. Pas një seance stërvitore ai iu bashkua Kombëtares së Shqipërisë për ndeshjen eliminatore të Botërori 2010. "Ne jemi takuar vetëm pak dhe kemi shkëmbyer disa biseda, por Salihi nuk është një i panjohur", shton Pakult.
Akomodimi - Sulmuesi i saporikthyer te Rapidi nuk e ka të vështirë të ambientohet me ndryshimin nga një qytet i vogël në një qytet të madh. "Normalisht, kalimi në një tjetër skuadër shoqërohet me presion dhe stres. Atje duhet të gjesh shokë të rinj. Por këtu të gjithë janë si një familje", përshkruan Salihi në ditët e para për ambientin e ri. Nuk ka pasur vështirësi të përshtatet edhe në skuadër. "Për mua ishte shumë e lehtë të ambientohesha në skuadër", rrëfen shqiptari. Hapi i parë ishte i suksesshëm, por gjurmët në të cilat duhet të kalojë, janë të mëdha.
Gjurmët - Gjithsesi, trajneri tregohet i kujdesshëm kur flitet nëse do ta zëvendësojë 100% Salihi, Majerhoferin. "Nuk mund t‘i krahasojmë ata të dy. Njëri është 2,02 metra i gjatë, tjetri është 1,83". Por ndryshimi nuk qëndron vetëm te gjatësia, megjithatë Pakult e cilëson "të voglin" si një gjuajtës të shkëlqyer me kokë. "Salihi, ashtu si paraardhësi i tij, mund të shënojë shumë gola, por...". Trajneri frenon euforinë dhe flet me kujdes për të ardhmen: "Si fillim duhet të përshtatet, pasi kanë ikur dy lojtarë që sezonin e kaluar realizuan 50 gola. Nuk duhet të besojmë se dyshja tjetër do të shënojë të njëjtën kuotë".
I gatshëm - Për Salihin shumëçka do të varet se sa shpejt ai do të ambientohet me lojën e Rapidit. "Ne duhet t‘i japim kohë atij për t‘u integruar dhe për t‘u bërë pjesë e skuadrës. Varet se sa do të zgjasë ky proces". A do të festojë Salihi debutimin me bluzën e Rapidit të dielën kundër Salzburgut? Pavarësisht shqetësimeve të vogla, ende nuk ka një vendim. "Për këtë ende nuk kam folur me trajnerin. Unë jam gati në çdo rast, duhet t‘i jap gaz dhe të punoj për paraqitjen time", thekson Salihi.
Transferimi - Në kampionat i mbeten edhe 30 ndeshje për të treguar vlerat e tij. Nuk dëshiron ta vërë veten nën presion. Ai i ka bërë llogaritë për një transferim të tillë. "Shumë blerje bëhen ditën e fundit. U desh të largohej Mahjerhofer që të më merrnin mua, pasi kishin nevojë për një sulmues. Për mua ky ishte një shans i madh". Lojtari i Shqipërisë është i sigurt se ndodhet në vendin e duhur. "Rapidi është gjithmonë favorit, edhe pse Salzburg ka një skuadër të mirë. Nëse ne japim më të mirën dhe fitojmë, do të jemi numri një". Me këto parametra ai shumë shpejt do të fitojë edhe zemrat e tifozëve. Nëse do të shënojë rregullisht, lidhja me ta do të jetë perfekte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›