E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatmire Bajramaj, kampione e Europës me Gjermaninë

Fatmire Bajramaj fiton një tjetër titull të rëndësishëm ndërkombëtar me përfaqësuesen gjermane në futboll për femra. Skuadra ku militon mesfushorja me origjinë nga Kosova u shpall kampionia e re e Europës. Kombëtarja gjermane e ka ngritur trofeun e ekipit më të mirë në kontinent pas finales së fituar të enjten në mbrëmje, ku mposhti me rezultatin tenistik 6:2 Kombëtaren e Anglisë. Bajramaj ka luajtur vetëm 7 minuta në ndeshjen që përcaktonte titullin, pasi është aktivizuar në minutën e 83-të, si zëvendësuese e Garefrekes. Pavarësisht minutazhit të pakët që kishte në dispozicion, 21-vjeçarja e lindur në Gjurakovc ishte një prej protagonisteve të suksesit të Gjermanisë. Gjatë aktivitetit, ajo ka shënuar dy gola, ndërkohë që ka regjistruar paraqitje shumë të mira sa herë që ka zbritur në fushën e lojës. Në finalen kundër femrave angleze, Prinz dhe Grings kanë shënuar nga dy gola, ndërsa me nga një rrjetë kontribuuan edhe Behringer (në minutën e 22-të) dhe Kulig (në minutën e 50). Për britaniket, golat u shënuan nga Karnei dhe Smith. Në fund të finales së Europianit, Bajramaj u shpreh mjaft e emocionuar për triumfin e Gjermanisë. "Mund të them se e merituam titullin, jam tejet e lumtur që arritëm ta fitojmë këtë trofe. Në pjesën e dytë kemi treguar të gjithë potencialin tonë dhe atë që jemi në gjendje të bëjmë", tha ajo. Titulli kontinental nuk është i pari për kosovaren, që pavarësisht moshës së re, numëron mbi 30 ndeshje me Kombëtaren "A" të femrave në Gjermani. Trofeun e parë, Lira (siç njihet ndryshe në ambientet sportive), e ka fituar në vitin 2006, kur me përfaqësuesen U-19 të Gjermanisë është shpallur kampione e Europës. Një vit më vonë ajo u shpall kampione e botës, në finalen e fituar 2:0 përballë Brazilit, ku megjithëse u aktivizua si zëvendësuese, ishte protagoniste në golin e dytë. Në vitin 2008, Fatmire Bajramaj triumfoi në Kupën UEFA me skuadrën e saj, Duisburg, dhe po në të njëjtin vit ajo fitoi medaljen e bronzit në Lojërat Olimpike të zhvilluara në Kinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›