Salihi, gol pas 4 minutave në derbin e parë vjenez
Hamdi Salihi dhe goli janë të pandashëm. Sulmuesi shqiptar vazhdon të shënojë rregullisht në radhët e Rapidit të Vjenës, pavarësisht minutazhit të pakët që trajneri Pakult i lë në dispozicion. 25-vjeçari ka përsëritur veten edhe në derbin e parë në kryeqytetin austriak, ku Rapidi fitoi 4-1 në "Hanapi-Stadion" përballë Austrisë së Vjenës. Në këtë ndeshje, Salihi u aktivizua si zëvendësues i Pehlivan në minutën e 85-të, por kjo nuk e ka ndaluar që t‘i dhurojë vetes kënaqësinë e golit. Vetëm 4 minuta më pas ai përshëndeti rrjetën, duke lënë edhe gjurmën e tij në atë që është fitorja më e thellë e Rapidit në derbi në këto dy dekada (triumfi i fundit me shifra të thella ishte ai i 10 marsit 1990, me rezultatin 6-3). Vendasit e panë veten në avantazhin e dy golave vetëm pas 17 minutave, me Hofman dhe Jelaviç. Gjithçka u bë edhe më e lehtë pas kartonit të kuq të lojtarit të Austrisë, Bak, në të 46-ën, ndërsa një minutë më pas Hofman realizoi edhe golin e tretë me penallti. Rrjeta e Hatenberger, që shkurtoi rezultatin në 3-1, ishte vetëm një iluzion, përpara se Salihi të vuloste fitoren 4-1. Me golin e djeshëm, shkodrani ngjitet në kuotën e 9 golave në këtë sezon, 2 prej të cilëve i ka realizuar në javët e para, kur luante me Riedin.
e. k.
e. k.