Salihi largohet nga D.C. United?

Sulmuesi shkodran ka zhvilluar vetëm 10 ndeshje nga 34 takime, prejse u transferua në Washington gjatë janarit të këtij viti. Duke pasur parasysh rrogën e lartë të përfaqësuesit shqiptar, D.C. mund ta mendojë shitjen e tij ose t’ia zvogëlojë rrogën.
“Ne ishim në kërkim të numrit 9 për këtë klub dhe mendoj se e kemi gjetur atë”, thoshte trajneri i United, Ben Olsen, në muajin shkurt, pasi Salihi e kishte nisur mirë eksperiencën amerikane.
“Mendoja se të gjithë sulmuesit do të na ofronin momente të mira këtë vit. Por, asnjëri nga ta nuk e ka kompletuar vitin duke luajtur dhe shënuar. Për këtë mendoj se kemi nevojë për sulmues. Nuk është e lehtë ta gjejmë, por do të vazhdojmë ta kërkojmë”, ka thënë Olsen të martën.
28 vjeçari ishte transferuar në D.C United gjatë dimrit të shkuar nga Rapid Wien. Shkodrani është pjesë e rëndësishme e Kombëtares shqiptare.