E Shtunë, 31 Tetor 2026

Magjia e Mexesit

Të gjithë e dinë se sulmuesi Zlatan Ibrahimoviç është një fenomen, futbollist në gjendje të realizojë gola të jashtëzakonshëm. Por, pak kush mund të ketë pritur që një mbrojtës si Philippe Mexes i Milanit të shënojë me gërshërë ngjashëm si suedezi. Francezi dhuroi një magji në fitoren 3-1 ndaj Anderlechtit në Ligën e Kampionëve dhe pranon se është hera e parë që shënoi një gol kaq të bukur.

Kur sulmuesi suedez Zlatan Ibrahimoviç shënoi katër gola në fitoren 4-2 ndaj Anglisë në miqësoren ndërkombëtare të javës së kaluar, të gjithë lavdëruan paraqitjen e tij dhe sidomos shënimin e katërt me gërshërë nga një distancë e largët.

Por, kjo nuk ishte hera e parë që sulmuesi gjigant realizon një gol të jashtëzakonshëm. Ai edhe në të kaluarën kishte dhuruar gola të bukur. Por, ajo që mund të ketë befasuar shumëkënd ishte shënimi i qendërmbrojtësit të Milanit, Philippe Mexes në fitoren 3-1 ndaj Anderlechtit të mërkurën në kuadër të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve. Francezi, njësoj sikurse Ibrahimoviç realizoi me gërshërë jashtë zonës së kundërshtarit, por shënimi i tij bëhet edhe më i jashtëzakonshëm për faktin se ai është qendërmbrojtës dhe nuk shquhet për gola.

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ishte i pari që lavdëroi golin e Mexesit duke u treguar gazetarëve se sa i jashtëzakonshëm i është dukur derisa po e shikonte nga pozita e tij në bankinë. “E pash këtë gol të mahnitshëm dhe topin që po fluturonte në ajër. Për një moment nuk mund të besoja se ai shënoi dhe më dukej e pamundur që topi të hynte brenda nga një pozitë e tillë”, deklaroi ai. Kurse, nënkryetari i Milanit, Adriano Galliani, u shfaq edhe më entuziast duke lavdëruar mbrojtësin Mexes dhe krahasuar shënimin e tij me atë të Ibrahimoviçit. “Ibrahimoviç shënoi në një miqësore, por Mexes shënoi në ndeshje zyrtare dhe shpresoj që të bëjë lajm në botë njësoj sikurse Ibra.

Nëse Lionel Messi do të shënonte në këtë mënyrë, çdo televizion në mbarë botën do ta quante të shenjtë që sonte”, deklaroi Galliani. Kurse, Mexes u shpreh më pak i ngazëllyer dhe pranoi se bashkëlojtarët e kanë pyetur nëse e pati për qëllim të realizonte në atë mënyrë. “Asgjë nuk më shkoi në mendje. Tentova dhe përfundoi brenda.

E pranoj se isha pak me fat. Ibrahimovic është një fenomen, por për një mbrojtës të shënojë në një mënyrë të tillë është e pazakonshme dhe për mua është hera e parë. Bashkëlojtarët më kanë pyetur nëse godita qëllimisht ose nëse tentova të krosoj, por gabova. Ia dedikoj familjes që më ka përkrahur gjithmonë dhe fëmijëve të mi, të cilët nuk e kanë lehtë të qëndrojnë në shtëpi, derisa babai i tyre është gjithmonë duke udhëtuar”, deklaroi Mexes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›