E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina, në fazën finale

Prishtina i është bashkuar Tiranës, Flamurtarit dhe Shkëndisë për t’u kualifikuar në fazën finale të kupës ‘Pavarësia’. Skuadra bardh e kaltër e eliminoi me meritë në gjysmëfinale Trepçën ’89. Kampioni aktual i Kosovës eci përpara falë saktësisë më të madhe në gjuajtjet nga 11 metërshi, pasi loja e rregullt përfundoi baras, 0:0.

Prishtina është kualifikuar në fazën finale të kupës ‘Pavarësia’, pasi e eliminoi Trepçën ’89 në gjysmëfinale në ndeshjen e zhvilluar të enjten në Kukës. Skuadra bardh e kaltër ia doli ta mposhtë konkurrentin për titull në Superligë vetëm falë ekzekutimit të penalltive, pasi që loja e rregullt prej 90 minutash përfundoi pa gola, 0:0.

Kampioni aktual i Kosovës ishte dukshëm më i mirë se ‘Xehetarët’, por lëshoi raste të shumta gjatë ndeshjes. Për këtë duhen përmendur edhe pritjet e shkëlqyeshme të portierit mitrovicas Enes Manxholli, i cili ishte i pamposhtur. Mentor Mazrekaj e pati rastin më të mirë, duke e qëlluar tërthorësen në pjesën e dytë.

Ekipi i Afrim Tovërlanit rrezikoi edhe me Viktor Kukën, ndërsa bardhegjelbrit patën raste me Kushtrim Lushtakun, por nuk patën paraqitje bindëse pas ndryshimeve që bënë në ekip, duke sjellë tre lojtarë të rinj; Faton Zejnullahun, Taulant Dajakun dhe Kushtrim Lushtakun.

Në gjuajtjet e penalltive, portieri Kushtrim Mushica ishte hero i prishtinasve duke e pritur penalltinë e Lorik Maxhunit, ndërsa e realizoi më pas penalltinë vendimtare për ta çuar ekipin bardh e kaltër në finale.

Për Trepçën ’89, gola nga 11 metërshi shënuan Taulant Dajaku, Samir Sahiti, Ilir Izmaku, Shpëtim Idrizi e Kushtrim Lushtaku, kurse për Prishtinën ishin të saktë të gjithë: Besnik Krasniqi, Liridon Kukaj, Mentor Mazrekaj, Astrit Fazliu, Azem Ahmeti e Kushtrim Mushica.

Përpos Prishtinës, kualifikimin e kanë siguruar edhe Tirana, mikpritësi Flamurtari dhe Shkëndija. Faza finale e turneut ‘Pavarësia’ do të zhvillohet më 27 nëntor në Vlorë, ku do të zhvillohen ndeshjet me sistem 45 minuta. Kjo është hera e katërt që në Shqipëri mbahet turneu ‘Pavarësia’.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›