Bullgaria vjen e “pashpresë” në Tiranë

Kombëtarja bullgare nuk do të jetë shumë e motivuar për duelin e së mërkurës përballë Shqipërisë në "Qemal Stafa", pasi morali i tyre ka pësuar një goditje të rëndë pas fitores së Rumanisë me Holandën, ndeshje që bullgarët shpresonin të fitohej nga portokallinjtë e Van Bastenit, apo të mbyllej me barazim. Të paktën kjo përshtypje krijohet nga mediat bullgare që shkruajnë se Bullgaria ka humbur cdo shpresë për kualifikim në "Euro 2008" që zhvillohet vitin e ardhshëm në Austri dhe Zvicër, pas fitores 1:0 të Rumanisë përballë Holandës.
"Kjo ndeshje i ka dhënë fund edhe shanseve të Bullgarisë për tu kualifikuar në kampionatin evropian. Tanët do të luajnë tri ndeshjet e fundit kualifikuese të grupit vetëm për të ruajtur nderin", shkruan e përditshmja sportive bullgare "7 dni Sport".
Ndërkohë sportivja tjetër, "Meridian Match" në faqen e saj të paë të së dielës ka pasur titullin "1:0 për Rumaninë, vdes shpresa". Më tej e përditshmja bullgare shpjegon pamundësinë e kualifikimit të përfaqësueses së drejtuar nga Dimitar Penev.
"Edhe po të varej nga ne dhe të fitojmë përballjen me ta, rumunët kanë ndeshje të lehta përballë Luksemburgut dhe Shqipërisë në shtëpi. Skuadra e dytë në grup, Holanda që gjithashtu është para nesh do të luajë me Slloveninë dhe Luksemburgun në shtëpi dhe me Bjellorusinë si mysafir", shkruan "Meridian Match".
Ndërkohë për skuadrën shqiptare edhe një barazim mund të konsiderohet një sukses pasi do t'i rikthente pozitën e katërt në klasifikim para Sllovenisë që aktualisht ka një pikë më shumë por ka gjithashtu një ndeshje më shumë. Ndërkohë "ëndrra e fshehur" e Otto Baric për vendin e tretë tashmë është e shuar plotësisht pas barazimit me Slloveninë, përvecse në rast se kombëtarja shqiptare arrin që të shënojë fitore në tri ndeshjet e mbetura (Bullgarisë, Bjellorusisë dhe Rumanisë) dhe Bullgaria të mos marrë më shumë se një pikë deri në fund të këtyre kualifikimeve, një gjë që duket vetëm teorikisht e mundur.