Pesë shqiptarë në botërorin e boksit amator

Kampionati botëror i boksit amator, i 14-ti me radhë që do të zhvillohet në Chicago të Shteteve të Bashkuara prej 17 tetorit deri më 3 nëntor do të ketë për protagonistë edhe 5 boksierë shqiptarë. Fatkeqësisht tre prej tyre do të garojnë për flamuj të huaj, ndërsa dy të tjerë do të jenë të veshur kuqezi. Shqipëria do të përfaqësohet nga boksierët shkodranë Jetmir Kuqi dhe Nelson Hysa. Kuqi do të garojë në kategorinë deri 69 kg, ndërsa Hysa në kategorinë e rëndë. Kosovari Naim Tërbunja, i cili konsiderohet si pretendent për medalje në këtë botëror do të përfaqësojë Suedinë në kategorinë deri 75 kg. Edhe kombëtarja austriake do të ketë një shqiptar në radhët e saj, Gëzim Tahirin që bokson në kategorinë deri 81 kg, ashtu si edhe Nasi Hani, një tjetër boksier shqiptar që do të boksojë për flamurin maqedonas.
Në historinë e kampionateve botërore të boksit amator boksierët me gjak shqiptar kanë arritur që të fitojnë edhe medalje, pavarësisht se kanë përfaqësuar kombëtare të huaja. Në vitin 1978 boksieri kosovar Mehmet Bogujevci ka arritur që të fitojë medaljen e argjendtë në botërorin e zhvilluar në Beograd, ndërsa katër vite më vonë në botërorin e Mynihut në Gjermani, Sami Buzolli ka arritur të marrë medaljen e bronztë. I fundit medalist shqiptar në një botëror të boksit amator është Luan Krasniqi i cili në vitin 1995 në kampionatin e zhvilluar në Berlin ka arritur deri në finale ku është mposhtur nga boksieri legjendar kubanez, Felix Savon.