E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petrov tejkalon dëmtimin, rikthehet ndaj Shqipërisë

Megjithëse ishte menduar për një mungesë për ndeshjen ndaj Shqipërisë, mesfushori i kombëtares bullgare Martin Petrov duket se do të jetë i gatshëm për në "Qemal Stafa" të mërkurën. Futbollisti i Manchester City ishte dëmtuar të premtën në një ndeshje përgatitore që kombëtarja bullgare kishte zhvilluar ndaj Lokomotivës së Sofjes, por si duket stafi mjekësor i kombëtares bullgare ka arritur që ta riaftësojë mesfushorin.
"Duhet të presim edhe sot dhe nesër nëse do t'i paraqiten dhimbje. Nëse gjërat shkojnë mirë atëherë Martin Petrov do të jetë në gjendje që të fillojë stërvitje të lehta dhe sipas të gjitha gjasave do të jetë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen kundër Shqipërisë", ka thënë për të përditshmen sportive bullgare "7dniSport", mjeku i kombëtares bullgare Mihajl Iliev.
Bashkë me Dimitar Berbatov, Martin Petrov konsiderohet si futbollisti më i mirë i kombëtares bullgare. Në sezonin aktual me Manchester Citu në Premier League ai ka shënuar 3 gola në 9 ndeshjet e zhvilluara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›