E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi, një ide vjeneze

Nga Jetmir Halilaj

Hamdi Salihi është një nga objektivat e klubit më të madh të Austrisë, Rapidit të Vienës. Sulmuesi i Tiranës dhe i përfaqësueses shqiptare është vëzhguar të shtunën në ndeshjen Tirana-Elbasani nga trajneri i Rapidit, Peter Pakult dhe menaxheri i klubit Stefan Ebner, të cilët kanë qenë të pranishëm në stadiumin "Qemal Stafa". Salihi shënoi gol në këtë ndeshje që përfundoi 2-0 duke i shtuar mundësitë vetes që të kalojë te skuadra austriake, madje kjo mund të ndodhë që në merkaton e janarit, duke qenë se Rapidi po kalon një periudhë tepër kritike dhe akutalisht renditet i fundit në Bundesligën austriake. Sulmuesi shkodran ka kryesuar listën e golashënuesve të kampionatit shqiptar gjatë dy sezoneve të fundit. Tratativat Gjatë ditëve të ardhshme pritet që në adresë të lojtarit të mbërrijë një ofertë konkrete nga ana e drejtuesve të Rapidit. Një ndikim të madh në vlerësimin e austriakëve kundrejt Salihit ka patur edhe thënia e Baric "Salihi është Gerd Myleri i Shqipërisë". Menaxheri i klubit ka përmendur faktin që trajneri aktual i Shqipërisë ka drejtuar për vite me radhë Rapidin në të kaluarën dhe nëse ai bën një kompliment të tillë, atëherë do të thotë se lojtari është i një niveli të kënaqshëm. "Baric jo vetëm që është një trajner i mirë, por është njëkohësisht edhe një njohës i shkëlqyer i talenteve – ka thënë menaxheri i klubit Stefan Ebner. – Baric, i cili ka drejtuar në të kaluarën edhe skuadrën e Rapidit ka thënë se Salihi është ‘Gerd Myleri i Shqipërisë' dhe kjo për ne ishte shumë impresionuese. Bashkë me trajnerin Pakult ishim në Tiranë dhe pamë nga afër lojtarin". Gjatë ditëve të ardhshme pritet që të mbërrijë një ofertë konkrete në adresë të lojtarit, pasi ka qenë vetë trajneri Pakult ai që ka thënë se në janar do të vijnë lojtarë të rinj. "Skuadra nuk është në gjendje të mirë dhe kjo është e dukshme – është shprehur trajneri i Rapidit – në janar do të vijnë disa përforcime, por nuk mund të them me saktësi emrat e tyre. Sulmi? Edhe aty do të ketë ndryshime". Prova Salihi as që e ka ditur që po vëzhgohej nga drejtuesit e klubit 31 herë kampion të Austrisë në ndeshjen me Elbasanin, megjithatë ai e ka kaluar me sukses testin sepse arriti të shënojë dhe të ndihmonte skuadrën e tij që të fitonte. Për bomberin bardheblu goli që shënoi të shtunën ishte i 11-ti këtë kampionat, cka do të thotë se ai vazhdon të jetë golashënuesi më i mirë i Superligës. Për nga mënyra se si luan dhe për efikasitetin që ka para portës, Salihi ka mundur të fitojë simpatinë e trajnerit Oto Baric, i cili e ka grumbulluar rregullisht atë me Kombëtaren. Skeda Emri: Hamdi Mbiemri: Salihi Mosha: 22 vjec Skuadra: Tirana Pozicioni: Sulmues Gola: 11 Karriera: Vllaznia, Panionios, Tirana

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›