Nishani; Ulja e krimit, policia kontribut të veçantë
Dy oficerëve të lartë të Policisë së Shtetit iu dorëzuan certifikatat e diplomimit pas përfundimit me sukses të Kursit Ndërkombëtar për Oficerët e Lartë, organizuar nga Shkolla Rumune e Xhandarmërisë “Mihai Viteazul”, në bashkëpunim me Xhandarmërinë Franceze. Kursi Ndërkombëtar për Oficerët e Lartë ka zgjatur për pesë muaj dhe e kanë përfunduar dy punonjës policie, nënkomisar Çlirim Mysaferaj dhe nëninspektor Eldor Budo. Në këtë ceremoni morën pjesë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ambasadorja e Ambasadës Franceze në Shqipëri, Daviet Maryse, ambasadori i Rumanisë, Viorel Stanila, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi, si dhe drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit. Ministri i Brendshëm u shpreh se sot Policia e Shtetit i ka dyert e hapura vetëm mbi bazën e aftësisë, kontributit dhe aftësisë së gjithsecilit që do të ishte i interesuar të punonte në radhët e policisë. Të rëndësishme në punën e policisë, ministri vlerësoi kontributin e misioneve policore "PAMECA" dhe "ICITAP", të cilat, me anë të asistencës së tyre, implementuan standarde të larta në Policinë Shqiptare. Sipas ministrit Nishani, Shqipëria sot është në një rrugë drejt standardeve të vendeve të tjera, si një vend anëtare e NATO-s, që do të thotë më shumë përgjegjësi, më shumë standarde, më shumë angazhime. Sot nivelet e kriminalitetit në Shqipëri janë shumë më të ulëta se më parë, për të cilën ai vlerësoi kontributin dhe seriozitetin, përgjegjësinë e strukturave të policisë. Gjatë ceremonisë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u uroi suksese dy punonjësve të policisë dhe falënderoi qeverinë franceze dhe atë rumune në kontributin që kanë dhënë në trajnimin e oficerëve të policisë shqiptare.