E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situata parazgjedhore, ODIHR jep vlerësimet e para



Misioni vëzhgues i ODIHR-it publikoi dje raportin e parë paraprak për procesin paraelektoral në Shqipëri. Në rreth 8 faqe, misioni ka detajuar zhvillimet në vend deri në datën 19 maj. Çështja kryesore që evidenton ky mision, është aplikimi për kartat e identitetit, për të cilat pasqyron shifrat e aplikimit deri në 19 maj. Për sa i përket listës së zgjedhësve, raporti thotë se ai është tërësisht elektronik dhe se menaxhohet nga autoritetet lokale. Raporti vijon më tej me situatën politike, punën e administratës zgjedhore si dhe fushatën elektorale.

Regjistri dhe kartat

Raporti shkruan se për herë të parë në Shqipëri, regjistri i votuesve është elektronik. Në të thuhet se databasi është dixhital dhe të dhënat mbahen nga administrata lokale. Në raport vlerësohet se subjektet elektorale kanë të drejtë të kenë një kopje të listës nga kryebashkiakët dhe komunarët. Numri i total i votuesve është 3.1 milionë dhe sipas Drejtësisë së Gjendjes Civile, rreth 50 mijë dublikata janë hequr nga kjo listë elektronike.

Më tej, në raport thuhet se në zgjedhjet e 28 qershorit do të votohet me pasaporta ose me letërnjoftime elektronike. “Çështja e kartave të reja të identitetit është më e diskutueshmja në këtë proces deri tani. Rreth 730 mijë votues të mundshëm nuk kanë pasaportë dhe rreth 354 mijë kanë aplikuar për kartën e re deri në datën 19 maj, sipas informacionit nga Ministria e Brendshme. Një shifër e përafërt prej 160 mijë votuesish pa një dokument mendohet se janë jashtë vendit. Rreth 220 mijë votues të mundshëm nuk kanë aplikuar ende deri tani (19 maj). Ministria e Brendshme është e bindur se do të jetë e mundshme që ky numër të pajiset me karta, ndërkohë që të tjerë kanë pyetje në rast se kompania e kontraktuar ka kapacitetet për të prodhuar karta për të gjithë këta aplikantë”, -thuhet në raportin e ODIHR-it. Në lidhje me çmimin thuhen në raport, karta e re kushton rreth 9 euro, por që nga muaji prill, qytetarët pa karta që s’kanë aplikuar, paguajnë më pak se 2 euro për kartën.

Situata politike

Në lidhje me situatën politike, raporti shkruan se situata është e politizuar mes dy partive të mëdha. Ndërsa për sa u përket partive të vogla, ato kanë menduar që të futen nëpër koalicione pasi do të kenë më shumë mundësi. Shumica e tyre e kanë bërë këtë gjë, ku në “Aleancën e Ndryshimit” janë regjistruar 17 parti politike, e cila drejtohet nga Kryeministri Sali Berisha.

“Bashkimi për ndryshim”, koalicioni tjetër, ka 5 parti dhe koalicioni drejtohet nga Partia Socialiste. Raporti thotë se në zgjedhje do të ketë edhe dy koalicione, ai që drejtohet nga LSI-ja me 6 parti gjithsej dhe Poli i Lirisë.

Në të thuhet se ndërsa fushata zyrtare ende s’ka nisur, partitë janë përfshirë në fushatë ndërkohë. Për sa u përket listave të kandidatëve, raporti thotë se jo më vonë se 40 ditë, partitë duhet t’i dërgojnë ato në KQZ, ku shihet kërkesa ligjore për 30 për qind femra në to.

Administrata zgjedhore

Në këtë raport bëhet një bilanc në lidhje me administratën e përgjithshme zgjedhore e cila do të administrojë procesin. Kështu, do të ketë 66 Komisione Zonale Zgjedhore dhe rreth 4800 qendra votimi. Do të ketë 66 vende të përcaktuara për numërimin e votave dhe KQZ-ja është e balancuar me anëtarë të miratuar nga Kuvendi, ku katër anëtarë janë të mazhorancës dhe tre të opozitës. Raporti citon edhe shqetësimin e KQZ-së për listat paraprake, pasi deri në datën 14 maj, 59 kryetarë komunash dhe bashkish nuk kishin përmbushur detyrimin e tyre.

Media

Raporti thotë se media vizuale jep informacionin kryesor për shtetasit. Duke iu referuar licencave të dhëna nga KKRT-ja, raporti thotë se aktualisht janë licencuar tri media private vizuale për transmetim kombëtar, 69 media lokale dhe 50 stacione kabllore. Ndërsa sipas raportit, tregu real ende nuk dihet, por 5 televizionet si Top Channel, TV Klan, Vizion Plus, News 24 dhe Alsat vlerësohen si më të shikuarit. Televizionet konkurrojnë për një treg të limituar reklamash, në total 21 milionë euro. “Mediat kryesore, vizuale dhe të shtypura, konsiderohen në përgjithësi të rreshtuara me njërën prej 2 partive politike dhe media në përgjithësi konsiderohet nga shumë si plurale, por jo e pavarur nga influencat politike”, -thuhet në raportin e ODIHR-it.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›