E Diel, 1 Nëntor 2026

“Saliu ka betonizuar Kamzën, Kasharin dhe Paskuqanin”

22/04/2011  Rama vazhdon fushatën në njësinë 2 dhe komunën Dajt, prezanton kandidatët

“Ta bëjmë Tiranën vendin ku realizohen ëndrrat, siç realizohen në Amerikë”

Kryetari i PS, Edi Rama, prezantoi dje në njësinë bashkiake nr. 2 në Tiranë kandidatin e “Aleancës për të ardhmen”, Artemon Cukalla, ndërsa premtoi për këta qytetarë se do të vazhdojnë projektet për një Tiranë evropiane, ku shtohen rrugët, shkollat, parqet e gjelbërimi, linjat e reja të transportit. “Tiranën e duam si vendin ku realizohen ëndrrat e atyre që vijnë nga familjet e vjetra tiranase dhe atyre që kanë ardhur në Tiranë siç shkohej dikur në Amerikë për më shumë mirëqenie. Për këtë ëndërr punojmë të gjithë. Që të ndjehemi krenarë që jetojmë në Tiranë”, tha Rama. Në 8 maj, sipas Ramës, qytetarët do vendosin për të ndryshuar politikën kombëtare mbi territorin, do jenë ata vendimmarrësit që s’do të lejojnë që qyteti të betonizohet, të kërpudhëzohet, ashtu siç ndodh në Kashar, Kamëz e Paskuqan ku qeveris Saliu, tha lideri i opozitës. “Përditë shkatërrohen potencialet më të rëndësishme të këtij territori. Shiheni si ngrihen pallate jashtë çdo norme, në Kashar, Paskuqan e Kamëz, janë modeli i menaxhimit të territorit të Saliut, modeli i kërpudhëzimit, i barbarizimit. E për të shkuar më tej në Fushë-Krujë, Krujë e Durrës ku po shkatërrohen ullishtat e pemët për të ngritur male me pallate.” Kjo ndodh, tha Rama, “sepse ata që qeverisin sot janë shumë larg rrugës së zhvillimit”. Duke e cilësuar ditën e 8 majit si ditën kur do merret një vendim me rëndësi kombëtare, Rama nënvizoi edhe njëherë idenë e tij se zgjedhjet e 8 majit janë tërësisht politike. “Të gjithë qytetarët ta shohin 8 majin si ditën ku do marrin pjesë në një vendimmarrje të rëndësishme, pasi ato janë zgjedhje krejtësisht politike, jo thjesht pse janë vjedhur votat e opozitës, janë politike sepse do zgjedhin kryetarët e njësive vendore, që do qeverisin qytetarin”, tha Rama. Më tej, kreu i PS, Edi Rama, ishte dhe në komunën e Dajtit, ku prezantoi kandidatin e kësaj force politike Kujtim Qefalia. Edhe në këtë komunë Rama bëri thirrje që më 8 maj qytetarët e kësaj komune të dalin për të votuar për alternativën socialiste, për t’u dhënë miratimin, sipas Ramës, projekteve të zhvillimit që kanë të majtët kudo në Shqipëri. Rama theksoi se kjo qeveri e korruptuar duhet të largohet një orë e më parë, pasi e ka zhytur vendin në një varfëri dhe papunësi ekstreme.

“Me qetësi, pa mllef, pasi mllefi është barra e atij që e ka. Ne nuk kemi mllef. Ne kemi pasion, solidaritet, punë edhe pastaj në të vetmen rrugë”, u shpreh Rama gjatë bashkëbisedimit të tij me banorët e komunës Dajt, gjatë prezantimit të kandidatit Qefalia.

“Mos rrini pa punë më 8 maj. Kush është i papunë dhe në 8 maj rri pa punë, nuk ka shans të gjejë punë më mbrapa, sepse rruga për të gjetur punë është se kur të vjen dita të votosh të mos rrish pa punë, por të votosh vetë dhe të bësh që të votojnë të gjithë të tjerët.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›