E Diel, 1 Nëntor 2026

Salla e Byrosë parlamentare të Kuvendit merr emrin e Pjetër Arbnorit, Kryetarit të Parlamentit të Parë Pluralist të Shqipërisë

Emri i simbolit të rezistencës antikomuniste shqiptare, shkrimtarit, politikanit dhe humanistit të madh Pjetër Arbnori u përjetësua sot në Parlamentin e Shqipërisë, me emërtimin e sallës kryesore të mbledhjeve parlamentare, atë të Byrosë dhe Konferencës së Kryetarëve, salla ”Pjetër Arbnori”. Në përkujtim të 75-vjetorit të lindjes së zotit Arbnori, nën kujdesin e Kryetares të Kuvendit Jozefina Topalli u organizua një aktivitet i posaçëm në nderim të kësaj figure shumëdimensionale, që gjithë jetën dhe veprën e tij ia kushtoi mendimit dhe fjalës së lirë, përpjekjeve për rrëzimin e diktaturës dhe demokracinë e Shqipërisë, veprimtari që do t’i kushtonte 28 vjet privim të lirisë.Bashkëshortja Suzana Arbnori, dy fëmijët Justinë e Filip, miq, bashkëvuajtës të burgjeve komuniste, deputetë, intelektualë, dhe studiues, morën pjesë në ceremoninë zyrtare të emërtimit të sallës “Pjetër Arbnori” Kryetarja e Kuvendit duke iu uruar mirëseardhjen zonjës Arbnori tha se ndihet krenare dhe e nderuar bashkë me Kuvendin e Shqipërisë, që t’i vendosë emrin “Pjetër Arbnori”, Sallës së mbledhjeve të Kryetarëve të grupeveparlamentare.Kryetarja e Kuvendit në hapje të aktivitetit tha: “Ju e dini që kjo sallë ka qenë Byroja e Komitetit Qendror. Pjetër Arbnori ka qenë legjendë e rezistencës dhe anti-komunizmit ndaj dhe simbolika është jashtëzakonisht e fortë. Kjo sallë, ku dikur merreshin vendime kundër Pjetër Arbnorit dhe të gjithë atyre që s’pranuan kurrë komunizmin, sot ka emrin Pjetër Arbnori. Ai ishte një luftëtar i fjalës së lirë. Ishte një njeri me zemër të madhe dhe unë kam qenë jashtëzakonisht me fat që kam pasur mundësinë për ta njohur dhe për të punuar për tri legjislatura së bashku me zotin Arbnori, fillimisht si Kryetar Parlamenti dhe pastaj kemi punuar bashkë në ditë të vështira në kohën e opozitës.Padyshim që me familjet kemi pasur një histori shumë më të gjatë, meqënëse unë për Pjetër Arbnorin kam dëgjuar qysh se kam qenë e vogël, fare e vogël. Kujtoj, kam qenë vetëm 6 vjeçe, kur erdhi një kartolinë nga Pjetër Arbnori dhe ai ishte në burg. Nuk kam për ta harruar kurrë çfarë ndjesie më ka krijuar ajo kartolinë që dilte nga burgu në ato kohë të vështira. Kam dëgjuar për Pjetrin si një njeri i cili kurrë ndonjëherë nuk u përkul, me një dinjitet të jashtëzakonshëm, me një qëndresë, legjendare, epike. Ndaj, u them fëmijëve, Filipit edhe Justinës, duhet të jeni shumë krenar për emrin që mbani.Jam shumë e nderuar që si Kryetare e Kuvendit i ve emrin e Pjetër Arbnorit kësaj salle. Ishte një legjendë e rezistencës ishte një luftëtar i paepur i fjalës së lirë, një shkrimtar i madh, një humanist i madh, një mbrojtës i të drejtave të njeriut si kurrkush tjetër, ishte Mandela i Shqipërisë. 28 vjet burg. 28 vjet të kaluara me një dinjitet të jashtëzakonshëm, për të cilin fëmijët do të jenë shumë krenarë. Por, edhe ne si shqiptarë jemi shumë krenarë. Diku, zoti Arbnori kishte shkruar se “dua të mbahem mend si shkrimtar”, por unë jam e bindur se ai do të mbahet mend jo vetëm si shkrimtar por edhe si një politikan I epokës pluraliste. Ai ka bërë shumë libra dhe këtu kemi vetëm një pjesë të tyre, sepse politikanët edhe mund të harrohen në histori, por zoti Arbnori nuk do të harrohet kurrë Në fakt zoti Arbnori do të mbahet mend si politikan i madh, si një njeri me zemër të madhe, si një njeri me qëndresë të madhe, por edhe si shkrimtar.Kryetarja e Kuvendit tha se ka shumë dorëshkrime të tjera që zoti Arbnori ka lënë pa botuar dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë ç’mund për t’i botuar ato. Më tej Kryetarja e Kuvendit u dhuroi familjarëve përmbledhjen e botimit të fjalimeve të mbajtura në Parlament nga Pjetër Arbnori që me vendosjen e pluralizmit, të botuar enkas për këtë ceremoni. Bashkëvuajtësit e tij, intelektualë të dënuar dhe të persekutuar në kohën ekomunizmit, Tanush Kaso, Uran Butka, Agim Musta, Skënder Qendro, Kolec Topalli e cilësuan Pjetër Arbnorin një ndër themeluesit dhe drejtuesit e vlerave demokratike të shoqërisë shqiptare, figurë e shquar jo vetëm politike, por një simbol kombëtar i pluralizmit dhe idhtar i fjalës së lirë. “Pjetër Arbnori ishte një mendimtar i madh, personalitet i shquar i demokracisë dhe e pluralizmit. Ai ishte shkrimtar dhe politikan i shquar, por mbi të gjitha ishte një humanist I jashtëzakonshëm, që kisht një shpirt të madh tolerance” - u shpreh ndër të tjera publicisti i njohur Uran Butka.Duke analizuar kalvarin të pakrahësueshëm të vuajtjeve dhe të persekutimit afro 30- vjeçar nga diktatura komuniste e intelektualit Arbnori, profesori i historisë Emin Riza sugjeroi për të pranishmit se figura e njohur botërore ndaj rezistencës së dhunës raciste, Mandela duhet të cilësohet pikërisht si “Pjetër Arbnori i Afrikës së Jugut”. Deputetët Fatos Beja, Mark Marku, Rajmonda Bulku, Adriana Gjoni, Leonard Demi kujtuan momente të paharrueshme të karrierës së Pjetër Arbnorit si deputet, si politikan, si simboli i atësisë së legjislativit të parë pluralist të Shqipërisë, ku Arbnori u zgjodh dhe dhe kryetari i parë i këtij Parlamenti “Ne deputetëve të rinj, por dhe gjithë Parlamentit e shoqërisë shqiptare na mungon kultura, mirësia e mençuria e një njeriu të madh si ishte Pjetër Arbnori” - u shpreh deputetja Rajmonda Bulku. Deputeti Fatos Beja tha se të gjithë deputetët kanë mësuar shumë nga urtësia, kurajo dhe pjekuria e tij politike, intelektuale dhe humaniste.Pjetër Arbnori, i bën nder Parlamentit, politikës, demokracisë dhe shoqërisë shqiptare. Politikani i njohur Sabri Godo vlerësoi vecanërisht tolerancën, qetësinë dhe humanizmin e figurës Arbnori i cili diti të falte persekutorët dhe në momentet më kritike të jetës së tij dhe të historisë së Shqipërisë. Studiuesi dhe publicisti Mujo Buçpapaj tha se jeta dhe vepra e Arbnorit është e mbushur me sfida dhe koincidenca. “Figura e Pjetër Arbnorit sfidon me veprën e tij dhe kur s’është mes nesh. Ai drejtoi Parlamentin e Shqipërisë, dikur Kuvendi Popullor të Republikës Socialiste të Shqipërisë; emri i Arbnorit arriti të sfidonte emërtimin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës dikur piramida e Enver Hoxhës, dhe sot emri i tij gdhendet në sallën e Byrosë së Komitetit Qendror, ku firmoseshin dënimet me vdekje" - tha ndër të tjera zoti Buçpapaj.Zoti Pjetër Arbnori ka qenë edhe presidenti i parë i Institutit të Kërkimeve Politike “Alcide de Gasperi”, të cilin e bashkëthemeluan me publicistin Fahri Balliu. Të pranishmit, miqtë, familjarët i shprehën mirënjohjen dhe falenderime të thella Kryetares së Kuvendit për nderimin e figurës historike të Pjetër Arbnorit, që iu bë sot në Parlamentin e Shqipërisë. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›