E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salla me infeksion, vdes pacienti

Infeksioni që mori në spital gjatë një operacioni në ze-mër, i ka kushtuar jetën. Bëhet fjalë për njërin nga 4 pacientët, të cilët rezultuan të prekur nga stafilokoku në shërbimin e kardiokirurgjisë. 

ZIRINA LLAMBRO

 Gjithçka ka kaluar në heshtje gjatë këtyre 3 javëve, ndonëse bllokimi i sallave për shkak të ngarkesës së lartë mikrobike bëri jo pak zhurmë. Lajmin për vdekjen e pacientit e konfirmuan për gazetën burime të sigurta nga shërbimi i kardiokirurgjisë. "Dy prej të sëmurëve, të cilët pas operacionit kishin marrë edhe një infeksion të rëndë spitalor, vazhduan të trajtohen edhe për disa ditë me radhë me antibiotikë të fortë, për të luftuar infeksionin. Gjendja e tyre paraqitej gjatë gjithë kohës tejet e rëndë", pohuan burimet nga stafi i mjekëve. Ata sqaruan se më tej një prej pacientëve filloi të përmirësohej dhe u mor në shtëpi nga familjarët. "Pacienti tjetër, i cili qëndroi disa ditë edhe në reanimacion, humbi jetën pasi bëri abses në mushkri (vatër infeksioni që bllokon tërësisht frymëmarrjen)", u shprehën burimet. Sipas tyre, infeksioni që kanë marrë në sallën e operacionit ka përparuar, duke çuar në komplikacione fatale për të sëmurin. "Normalisht vdekje të tilla ndodhin, por në këtë rast do të thosha se infektimi gjatë ndërhyrjes kirurgjikale ka qenë shkaktari kryesor", thanë burimet. Për arsye profesionale, burimet nga stafi i mjekëve nuk pranuan të japin emrin apo inicialet e pacientit që humbi jetën. Por ata nënvizuan se ky fakt mund të vërtetohet qartë nga kartelat mjekësore në shërbim. Ndërkaq ishte e pamundur të merrej një prononcim zyrtar për këtë skandal nga drejtoria e spitalit "Nënë Tereza".
Sallat me mikrobe
Tri salla operacioni në shërbimin e kardiokirurgjisë u mbyllën tri javë më parë në spitalin "Nënë Tereza". Në to u gjet jashtë normës së lejuar stafilokoku, një prej baktereve më të rrezikshme që shkakton infeksione shumë të rënda te pacientët. Dyshimet e mjekëve për prezencën e këtij bakteri në sallë nisën, pasi 4 pacientë të operuar rezultuan të infektuar prej tij, fill pas ndërhyrjes kirurgjikale. Pikërisht njëri prej tyre humbi jetën vetëm disa ditë më pas. Nga mbjelljet në sallë, rezultoi se ndotja bakteriologjike ishte jashtë normës së lejuar. Për disa ditë me radhë sallat u dezinfektuan me formalinë, në mënyrë që të rinisnin operacionet. Drejtoria e spitalit pohoi se për pacientët që kishin marrë infeksionin nuk kishte rrezik për jetën. Por në fakt ka ndodhur pikërisht e kundërta. Njëri prej tyre nuk ka mundur të mbijetojë. Ndonëse në kartelën mjekësore asnjëherë nuk shkruhet se për vdekjen e pacientit shkak ishte ky lloj infeksioni, vetë mjekë të këtij shërbimi i mëshojnë fort këtij fakti.

Alarmi për ndotjen e sallave operatore
Alarmi për kthimin e sallave operatore në vatra të vërteta infeksionesh, është ngritur nga gazeta vazhdimisht që prej disa muajsh. Sipas specialistëve të infeksioneve nozokomiale (spitalore) pasojat për pacientët mund të jenë vdekjeprurëse. Në disa raste infeksioni përparon shpejt dhe është i vështirë të ndalohet. Ata më me "fat" duhet të qëndrojnë një javë apo dhjetë ditë më shumë në spital dhe të trajtohen me antibiotikë të fortë në trup për të luftuar infeksionin. Ndryshe nga vendet e tjera, ku sallat e operacionit janë ambientet më sterile të spitalit, në  vendin tonë 70% e pacientëve që shtrohen marrin një infeksion të dytë. Nga të dhënat e ISHP-së, rezulton se në QSU asnjë prej ambienteve nuk plotëson parametrat. Madje, burime nga spitali bëjnë me dije se, gjatë kryerjes së një ndërhyrjeje kirurgjikale, mjekë e infermierë hyjnë e dalin disa herë nga salla, çka nuk është e lejueshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›