Një diplomat amerikan deklaroi...
Skënder Minxhozi
Prej dy ditësh disa deklarata të një diplomati amerikan bëjnë xhiron e redaksive të shtypit. Në to përmblidhen kritika dhe vërejtje të rënda për mënyrën sesi qeverisja aktuale po menaxhon shtetin dhe pushtetin, sidomos pas marrjes së ftesës për në NATO në Samitin e Bukureshtit në prill të këtij viti. Marrëdhëniet me prokuroren e re, ato me KLD dhe Gjykatën Kushtetuese, rrëzimi i shëmtuar i kandidaturave për Gjykatën e Lartë dhe presionet e shtuara për kufizimin e mandatit të OSBE, pa përmendur sherrin e fundit skandaloz të kryeministrit me deputetin Balla dhe heshtjen e zgjatur për zbardhjen e Gërdecit, të gjitha këto u vunë në gojën e diplomatit misterioz, vetëm pak orë pasi ambasadori Withers takoi një grup gazetarësh. Kjo hollësi e fundit ka megjithatë pak rëndësi përballë faktit që ambasada e SHBA dhe vetë Withers dje në Gërdec (një vizitë që kërkon të kujtojë se ai vend është ende një gërmadhë në qiell të hapur), nuk i përgënjeshtruan deklaratat në fjalë, ç’ka tërthorazi konfirmon si përmbajtjen, ashtu edhe burimin. As qeveria nga ana e saj duket se nuk ka ndërmend të reagojë, duke u munduar të luajë me profil të ulët, përballë akuzash mjaft të rënda. Berisha në Shkodër u mundua t’i hedhë ujë zjarrit, kur tha se institucionet nuk kanë qenë kurrë më parë më të pavarura se sot, por ky duket si një justifikim i dobët dhe krejt sipërfaqësor, përballë asaj që sot artikulohet qartë dhe fort nga perëndimorët.
SHBA kanë qenë sponsori kryesor diplomatik i marrjes së ftesës për në NATO nga ana e vendit tonë. Ato janë gjithashtu mbrojtësi dhe promotori më i rëndësishëm i pavarësisë së Kosovës. Kur diplomacia amerikane përdor tone të forta ndaj qeverisë shqiptare, duhet të kemi parasysh se ka folur shteti i vetëm perëndimor, i cili ka pasur dhe ka një vëmendje diplomatike, apo edhe interesa strategjike, ndaj zhvillimeve në hapësirën shqiptare. Pozicioni i SHBA ndaj nesh, ajo ç’ka Uashingtoni ka deklaruar lidhur me dinamikën e procesit demokratik në Shqipëri, kanë pasur dhe do të kenë vlera aksiomatike në politikën tonë të jashtme dhe të brendshme. Për pasojë, edhe deklaratat e fundit, ndonëse pa “figurë dhe zë”, s’mund të merren si gossip ambasadash dhe aq më pak si vërejtje të pamenduar dhe joserioze. Secila nga deklarimet e dala në media kërkon vëmendje dhe reflektim nga një qeveri, e cila pretendon të mbajë lidhje preferenciale dhe të hapura me shtetin më të fuqishëm të botës.
Tradicionalisht turpi diplomatik në Tiranë ka vepruar brenda kufirit të padukshëm që përcakton profesioni dhe pozita e tij delikate, si prezencë dhe përfaqësim i një bashkësie vendesh që kanë marrëdhënie të gjithanshme me Shqipërinë. Gjithsesi, kur lexon dozën e kritikës që përmbanin deklarimet e fundit të ambasadës amerikane, nuk e ke të vështirë të konstatosh se është një punë e vështirë të gjesh një precedent tjetër ku zemërimi dhe kritikat e diplomatëve perëndimorë të kenë qenë kaq të drejtpërdrejta, kaq negative dhe kaq therëse në “aciditetin” e tyre. Nëse kthen kokën pas, do të shohësh se deklarata publike kaq të forta, nuk kanë dalë nga dyert e ambasadës amerikane as në kohën kur atë e drejtonin Mariza Lino apo Joseph Limprecht, dy diplomatët e lartë që ishin në detyrë gjatë dhe pas krizës së vitit 1997. Diplomati amerikan thotë sot se, i vjen zor t’ua paraqesë zotin Berisha të njohurve të tij në SHBA, si mik të presidentit amerikan Bush, pas asaj që ndodhi në Parlament me Taulant Ballën. Ai përdor termin “horror” për të cilësuar letrën që kryeparlamentarja Topalli i ka dërguar kryeprokurores Rama. Do të mjaftonin këto dy detaje, njëherazi diplomatike, por më shumë njerëzore, për të kuptuar se përtej vellos zyrtare të marrëdhënieve shumë të mira me SHBA, po majiset ngadalë një krizë diplomatike që nuk parathotë asgjë të mirë për të gjithë ne.
Mesazhi i dalë nga ambasada e SHBA mund të merret si preludi i një sjelljeje të re të bashkësisë ndërkombëtare ndaj autoriteteve shqiptare. Deri më sot Shqipëria ka njohur më shumë karrotën sesa shkopin. E tregoi këtë vizita e presidentit Bush në Tiranë, marrja e ftesës në NATO dhe premtimi serioz për një anëtarësim të plotë në samitin e ardhshëm të Aleancës. Rruga që na ndan deri në derën e atij samiti është megjithatë gjithë pengesa. Sjellja autoritariste ndaj ligjit dhe institucioneve dhe politika e arrogancës, të kultivuara në këto muaj në mënyrë insistuese nga Berisha dhe Topalli, mesa duket po bën efektin e kundërt tek ata që deri dje mendonin se vendi ynë ishte i pjekur për të hyrë në një stad të ri marrëdhëniesh me bashkësinë e vendeve të zhvilluara. Ky skepticizëm në rritje, i bashkuar me tensionin e pritshëm elektoral brenda vendit, që do të vijë pashmangshmërisht në rritje, apo me zhvillime të tjera globale, siç mund të jetë një fitore e Obama-s në nëntor, mund të sjellin disa efekte jo fort të këndshme për politikën tonë të jashtme dhe përgjithësisht për ambiciet tona për t’u integruar së afërmi në NATO.