E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vapa merr jetën e dy grave

Temperaturat e larta kanë shënuar dy viktima dje në Kuçovë dhe në Librazhd. 

KUÇOVE/LIBRAZHD
 Fatkeqet kanë qenë dy gra të moshave 40 dhe 38 vjeç, njëra prej të cilave vuante nga hipertensioni dhe tjetra kishte shqetësime kardiake. Burime nga spitalet e Beratit dhe të Librazhdit bënë të ditur se për shkak sëmundjeve të tyre, viktimat nuk kanë mundur t'i rezistojnë dot vapës. Familjarët kur kanë konstatuar humbjen e ndjenjave i kanë dërguar me urgjencë në spital, por ndihma e mjekëve ka rezultuar e pavlerë, pasi ato kishin humbur jetën para se të mbërrinin. Pas ekzaminimeve të kryera ka rezultuar se vapa dhe qëndrimi për një kohë të gjatë në diell, ka qenë shkaku që ka ndikuar në humbjen e jetës së dy grave. Ngjarja ku humbi jetën Rajme Dauti, 40 vjeç ndodhi në fshatin Tapi, Komuna Perondi në Kuçovë. Sipas të dhënave të siguruara nga dëshmi të banorëve të zonës 40-vjeçarja ka gjetur vdekjen e menjëhershme, pasi kishte qëndruar në diell. Sipas banorëve ajo kishte dalë jashtë shtëpisë së saj për të punuar në arë dhe pas pak momentesh, ajo kishte ndjerë një tronditje dhe një shtrëngim në kraharor. Duke e ndjerë veten krejt të pafuqishme, nëna e dy fëmijëve, është mbështetur në trungun e një peme, që ndodhej pranë vendit ku po punonte dhe ka kërkuar ndihmë. Kanë qenë familjarët e saj ata që të alarmuar kanë rendur drejt saj, dhe kanë tentuar t'i japin ndihmën e parë. Burime nga policia bëjnë të ditur se, familjarët e kanë transportuar për në spitalin e Beratit. Por edhe pse ka marrë ndihmën e mjekëve, gruaja nuk ka mundur të shpëtojë. Pas ekspertizës së kryer është konstatuar se 40-vjeçarja vuante prej vitesh nga hipertensioni. Kjo është konfirmuar edhe më vonë edhe nga grupi hetimor, i cili pas vajtjes në vendngjarje dhe dëshmive të siguruara nga familjarët ka konstatuar se, Dauti vuante prej vitesh nga tensioni i lartë, sëmundje për të cilën edhe kurohej. Fshati Tapi është zonë naftëmbajtëse, që karakterizohet nga temperatura të larta. Viktima tjetër që humbi jetën si pasojë e të nxehtit u shënua në fshatin Pishkash të komunës Qukës të Rrethit të Librazhdit. Burime të policisë bënë të ditur se, në orët e para të mëngjesit të djeshëm ka gjetur vdekjen pranë banesës së saj 38-vjeçarja L.K. Burime pohuan se menjëherë 38-vjeçarja është dërguar në spitalin e Librazhdit, por nuk ka mundur t'i shpëtojë vdekjes. Mësohet se grupi hetimor mbasi kreu këqyrjen e kufomës arriti në përfundimin se, vdekja e saj është shkaktuar nga infarkti i miokardit, si pasojë e temperaturave të larta dy ditët e fundit. Mjeku ligjor i spitalit të Rrethit të Librazhdit, Liman Mënalla, tha se 38-vjeçarja që prej një viti kishte shqetësime në zemër, dhe vapa e nxehtë mund të ketë nxitur infarktin e miokardit". Temperaturat e larta kanë shënuar edhe në ditët e mëparshme viktima, pjesa me e madhe e të cilëve kanë pasur probleme të mëparshme me zemrën. Më e fundit nga këto raste ishte ai i katër ditëve më parë në qytetin e Urës Vajgurore, ku ka vdekur një grua pasi humbi ndjenjat, teksa po ecte në diell në një prej rrugëve të lagjes së saj.                 d.xh/a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›