E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sallat e operacionit në QSUT të “pushtuara” nga koloni mikrobesh

SHKRUAN: Jonida Tashi 30-11-2011 14:26

Klinikat kirurgjikale pa dezinfektant, tek urgjenca pacientët futen në ndërhyrje siç vijnë.

Reparti Kirurgjik i Onkologjikut me ngarkesën më të lartë mikrobike, si paraqitet gjendja e pastërtisë në sallat e tjera

Nga dyshemeja deri në tavan, sallat e operacionit në spitalin më të madh të vendit, “Nënë Tereza”, gjenden të “pushtuara” nga koloni mikrobesh, ku më serioze situata paraqitet tek Onkologjiku. Por, pas nuk ngelen as klinikat e tjera kirurgjikale dhe reanimatore në QSUT, si: Kardio-kirurgjia, Okulistika, Otorino-Laringologjia, Maxilo-Faciale, Urologjia, dhe Urgjenca, në të cilën të sëmurët nuk trajtohen para hyrjes në sallë, por futen ashtu siç paraqiten në spital. I vetmi shërbim që ka “shpëtuar” nga ky kontaminim mikrobik është salla ku kryhen transplantet, kjo ndoshta edhe për faktin se ndërhyrjet aty janë të rralla. Përsa i përket mangësive të solucioneve dezinfektonte, kjo është konstatuar pothuajse në të gjitha klinikat kirurgjikale. Madje, edhe ato reparte kirurgjikale që kishin marrë një sasi të klorit, pasi është ekzaminuar kampioni, ka rezultuar se solucioni nuk ishte i efektshëm, pasi përqindja e klorit nuk ishte brenda standardeve të duhura. Specialistët e Sektorit të Kontrollit të Infeksioneve Spitalore pranë Departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Gjergji Koja, Silva Bino, Zaide Sulejman, kanë realizuar vlerësimin dhe kontrollin e sterilitetit të sallave operatore në QSUT, për periudhën janar-mars 2011. Gjatë kryerjes së vlerësimit të sterilitetit në sallat kirurgjikale, dhomë zgjimi, reanimacion, urgjencë, u morën në total 310 mostra për ekzaminime mikrobiologjike. Sipas ekzaminimeve të kryera, rezulton se te Reparti Kirurgjik i Onkologjisë, në të gjitha sallat operatore, është konstatuar një ngarkesë mikrobike me mbizotërim gram negative, ku është izoluar E.Coli. Megjithëse ekzaminimet janë kryer në mëngjes, pak çaste përpara hyrjes së pacientit për operacion, ku normalisht duhej të ishte kryer pastrimi, larja dhe dezinfektimi i sallave, por asnjë prej procedurave standarde të lartpërmendura nuk ishte praktikuar, pra një neglizhencë e kushteve higjieno-sanitare që nga elementet bazë e deri në procedura. Ndërkohë që brenda në bllokun operator, ku është dhoma e reanimacionit, ka shumë hyrje dhe dalje të familjarëve, gjë që të çon në kontaminim të mëtejshëm të këtyre ambienteve. Pas Repartit Kirurgjik të Onkologjisë, edhe Klinikën I të QSUT-së, ku funksionojnë dy salla operatore, një dhomë zgjimi dhe një dhomë sterilizimi, ambienti ka rezultuar i kontaminuar, me përjashtim të pllakave të murit, ndërkohë që ajri në komunikim me dhomën e larjes së duarve ka rezultuar me 234 koloni bakteresh. Në Klinikën III , ku janë tri salla operatore, dy dhoma zgjimi dhe një dhomë sterilizimi, është konstatuar se avujt e autoklavës dilnin në korridor dhe nuk kishte aspirator për thithjen e tyre, çka bën që ngarkesa bakteriale e avujve të qarkullojë brenda sallës së operacionit. Por, megjithë këtë fakt, kontaminimi i sallave të kësaj klinike ka qenë me i lehtë, pasi edhe materialet kanë rezultuar të pastra nga bakteret. Më pozitive rezultatet kanë qenë për Repartin e Kardio-kirurgjisë, ku vlerësimi i sterilitetit është kryer në të dy sallat operatore dhe në reanimacion. Në këtë repart nuk është paraqitur ngarkesë mikrobike e ambienteve të sallave operatore, me përjashtim të ajrit. Ndërsa në Klinikën kirurgjike II, Urologjia, ku kryhen operacionet okulistike, otorino-laringologji, maxilo- faciale, është vërejtur që brenda ambienteve të sallës kirurgjike të Okulistikës mbahej një aerosteril, ku avujt e tij qarkullonin përsëri në të njëjtin ambient, duke dhënë drejtpërdrejt kontaminim. Ndërkohë që brenda ambienteve kirurgjike, në dhomën e larjes së duarve të mjekut dhe personelit shëndetësor, kalonte tubi i kaldajës që mbante një erë të rëndë, duke demonstruar qartë edhe pjesën e murit të djegur nga gazrat. Po kështu, në këto ambiente mungonte sistemi i filtrimit dhe aspirimit si dhe i llambave germicide, dhe për të katra sallat kirurgjike ekzistonin 2 autoklava. Në sallën e Urgjencës në QSUT, ku kryhen shumë operacione të paplanifikuara, ekzaminimet janë marrë në momentin që salla ishte e larë dhe e dezinfektuar, sepse tërë natën kishte pasur urgjenca. Por, sipas sondazheve, u konstatua amortizimi i veglave kirurgjike, mungesa e qarqeve të tubave të intubimit, si dhe mungesa e solucioneve dezinfektantë. Ndaj, përmirësimi i situatës përsa i takon ngarkesës bakteriale në sallat e kirugjisë në QSUT merr një rëndësi të madhe, po të kemi parasysh faktin se në këtë spital kryhen 90 000 konsulta mjekësore, 160 000 urgjenca, 60 000 shtrime dhe 20 000 ndërhyrje kirurgjikale në vit.

Reparti Kirurgjik i Onkologjisë

Salla operatore nr.1

Nr. Vendi i marrjes së mostrës Rezultati

1 Ajri sipër shtratit operator -150 koloni

2 Ajri pranë dritares -160 koloni

3 Ajri te dera -230 koloni

4 Dysheme poshtë shtratit operator -kontaminim i rëndë

5 Dysheme poshtë tavolinës së medikamenteve -kontaminim i rëndë

6 Dysheme pranë derës -kontaminim i rëndë

7 Mbi tavolinën e medikamenteve të materialeve sterile -negativ

8 Mbi tavolinën e medikamenteve -negativ

9 Pllakë muri -kontaminim

10 Pllakë muri -kontaminim

11 Llamba operatore -kontaminim

12 Brenda në dollapin e medikamenteve -kontaminim

13 Solucion sidex me gjilpëra dhe pinca -steril

14 Sipërfaqe mbi shtratin operator -negativ

15 Sipërfaqe mbi shtratin operator -negativ

16 Llamba operatore -negativ

Salla operatore nr.2

Nr. Vendi i marrjes së mostrës Rezultati

1 Ajri në korridor 123 koloni

2 Dysheme poshtë shtratit operator -kontaminim i rëndë

3 Dysheme poshtë tavolinës së medikamenteve -kontaminim i rëndë

4 Dysheme pranë derës -kontaminim i rëndë

5 Mbi tavolinën e medikamenteve të materialeve sterile -negativ

6 Mbi tavolinën e medikamenteve -negativ

7 Pllakë muri -negativ

8 Pllakë muri -negativ

9 Llamba operatore -negativ

10 Ajri në qendër të sallës -60 koloni

11 Ajri pranë dritares -30 koloni

12 Parvaz dritareje -negativ

Klinika I , Salla Operatore, QSUT

Salla operatore nr.1

Nr. Vendi i marrjes së mostrës Rezultati

1 Ajri sipër shtratit operator -100 koloni

2 Ajri pranë dritares -120 koloni

3 Ajri te dera -145 koloni

4 Ajri në komunikim me dhomën e larjes së duarve -234 koloni

5 Dysheme poshtë shtratit operator -kontaminim

6 Dysheme poshtë tavolinës së medikamenteve -kontaminim

7 Dysheme pranë derës -kontaminim i rëndë

8 Mbi aparatin e narkozës -kontaminim

9 Mbi tavolinën e medikamenteve -negativ

10 Pllakë muri -negativ

11 Pllakë muri -negativ

12 Solucion sidex i përgatitur në moment -negativ

13 Maska mbi aparatin e narkozës -negativ

14 Sipërfaqe mbi shtratin operator -kontaminim

15 Sipërfaqe mbi shtratin operator -kontaminim

16 Qarku i tubit të intubimit -kontaminim

Salla operatore nr.2

Nr. Vendi i marrjes së mostrës Rezultati

1 Ajri mbi shtratin operator -4 koloni

2 Ajri te dera -80 koloni

3 Ajri mbi tavolinën e instrumenteve të hapura sterile -23 koloni

4 Sipërfaqe mbi shtratin operator -kontaminim

5 Mbi aparatin e narkozës -kontaminim i rëndë

6 Mbi tavolinën që janë veglat sterile -negativ

7 Pllakë muri -negativ

8 Solucion sidex për gjilpërat -negativ

9 Dysheme -kontaminim

10 Dysheme poshtë shtratit -kontaminim

11 Dysheme te dera -kontaminim i rëndë

12 Maska nr.1 -negativ

13 Maska nr.2 -negativ

Salla e Transplantit

Nr. Vendi i marrjes së mostrës Rezultati

1 Ajri mbi shtratin operator -negativ

2 Ajri pranë derës -negativ

3 Dysheme poshtë shtratit -negativ

4 Dysheme pranë dritares -negativ

5 Pllakë muri -negativ

6 Llamba operatore -negativ

7 Sipërfaqe mbi aparatin e narkozës -negativ

8 Mbi tavolinën e medikamenteve -negativ

9 Mbi aparatin e narkozës -negativ

10 Cistine sterile -steril

11 Sol. Hexol -steril

12 Sol. Betadini (Duart) -steril

Urgjenca, Dhoma e zgjimit

Salla operatore

Nr. Vendi i marrjes së mostrës Rezultati

1 Ajri sipër shtratit operator -10 koloni

2 Ajri pranë dritares -12 koloni

3 Ajri te dera -40 koloni

4 Dysheme poshtë shtratit operator -kontaminim

5 Dysheme poshtë tavolinës së medikamenteve -kontaminim

6 Dysheme pranë derës -kontaminim

7 Mbi aparatin e narkozës -kontaminim

8 Mbi tavolinën e medikamenteve -negativ

9 Pllakë muri -negativ

10 Pllakë muri -negativ

11 Solucion sidex i përgatitur në moment -negativ

12 Maska mbi aparatin e narkozës -negativ

13 Llamba operatore -20 koloni

14 Sipërfaqe mbi shtratin operator -kontaminim

15 Cistina sterile -negativ

Dhoma e zgjimit

Nr. Vendi i marrjes së mostrës Rezultati

1 Ajri në mes të dhomës -70 koloni

2 Ajri mbi shtratin e të sëmurit -100 koloni

3 Ajri mbi aparatin e narkozës -15 koloni

4 Dysheme -kontaminim

5 Dysheme -kontaminim

6 Ujë fiziologjik i aparatit të oksigjenit -kontaminim

7 Sipërfaqe mbi aparatin respirator -kontaminim

Niveli i kontaminimit sipas klinikave

Në tabelën e mëposhtme specialistët kanë paraqitur në mënyrë grafike një krahasim të mostrave të ajrit të marra në sallat operatore, ku është kryer vlerësimi i sterilitetit dhe në mënyrë grafike ato i kanë krahasuar me sallat përkatëse të klinikave përkatëse. Siç shihet edhe nga grafiku, niveli i kontaminimit (shprehur në koloni) është i ndryshëm për salla të ndryshme në të njëjtën zonë të marrjes së mostrës.

Rekomandimet, çfarë duhet bërë për ndryshimin e situatës

Në përfundim të vlerësimit për pastërtinë e sallave të operacioneve në QSUT, specialistët kanë dhënë edhe rekomandimet e tyre për përmirësimin e situatës. Kështu, sipas tyre, së pari nevojitet një koordinim më i efektshëm midis Drejtorisë së QSUT dhe shërbimeve apo klinikave përkatëse, për të mundësuar furnizimin në sasinë që nevojitet dhe me cilësinë e certifikuar nga ISHP të dezinfektantëve të ambienteve përkatëse. Nisur nga situata e rëndë e kontaminimeve mikrobike të disa ambienteve, u propozua pezullimi i përkohshëm i aktivitetit kirurgjik të paktën në: sallën operatore nr.1 të repartit kirurgjik të Onkologjisë, sallën kirurgjike të Okulistikës, sallën kirurgjike të ndërhyrjeve Maxilo-Faciale, rikthimin brenda normave të lejuara të ndotjes mikrobike të këtyre ambienteve. Po kështu, rekomandohet larja dhe dezinfektimi i duarve sipas proceduarave standarde të tyre, nga i gjithë stafi që merr pjesë në manipulimin e pacientëve në ambientet brenda reanimacionit. Hyrja strikte e personelit në sallë dhe reanimacion, veshje të përshtatshme për personelin, përdorimi i dorezave në çdo moment me të sëmurët, por në veçanti me kontaktet me gjak, sekrecionet dhe lëngjet e tjera të trupit, larja e duarve menjëherë pasi hiqen dorezat, pastrimi dhe derdhja e menjëhershme e materialeve të infektuara janë disa nga rekomandimet e tjera. Ndërkohë, kërkohet që të sigurohen që pajisjet e kujdesit për pacientin (maskat, tubat e intubimit, lëngështuesit e oksigjenit) ose të hidhen, ose të dezinfektohen përpara se të përdoren te një pacient tjetër, ndërsa transporti i pacientit duhet të kryhet vetëm me barelën e sallës.

Përfundimet

Në të gjitha ambientet ku janë marrë ekzaminimet kishte shumë mangësi të:

Dezinfektantëve;

Sapunëve;

Paketave kirurgjike;

Cistinave;

Protokolleve të larjes së duarve;

Përdorimit të solucionit dezinfektant në përqindjen e duhur dhe me kohë ekspozimi jo

më shumë se 10-15 minuta, aktualisht kanë Hexol;

Protokolleve të hollimit të dezinfektantëve, nëse ishin të kategorisë për t’u holluar;

Trajnimeve apo rifreskime të metodologjive në lidhje me higjienën e sallave operatore;

Aksesorëve dytësorë (kova e lecka).

Metodologjia e përdorur për ekzaminimet përkatëse

Vlerësimi konsistoi në ekzaminimin e një sërë mostrash mikrobiologjike, ekzaminime të cilat u morën në sipërfaqe, orendi në solucione, duke u ndalur në qarkun e tubave të aspirimit dhe të elementeve me një përdorim, ambuja e pacientit dhe shtrati i të sëmurit, kompleti i mjekimit në dhomën e reanimacionit etj. Ekzaminimet e ajrit janë bërë me metodën e sedimentimit me aparatin R.C.S (reutercentrifugal- sampler), i cili tregon shkallën e kontaminimit të ambientit me anën e sasisë së partikulave që bien mbi pjatat rodak në terrenin agar-gjak, saboro, ku masat e lejuara janë 700-1000 mikrobe/1m3ajër. Ekzaminimet e sipërfaqeve bëhen me metodën standarde të pjatave rodak në terrenin

T.S.A (triptikaze-soje-agar) dhe bujon të thjeshtë, ku masat e lejuara janë 1000-2500 mikrobe/ 100cm2. Ekzaminimet e qarqeve të tubave të intubimit dhe të ujit të oksigjenuar janë marrë me bujon të thjeshtë, inkubimi në 37oC dhe kalimi në terrenet Agar-gjak, D.C.M.C. Po kështu janë bërë sondazhe mbi qarkullimin e mikrobeve patogjenë në sallën operatore. Ndërkohë që është kryer edhe marrja e mostrave në personelin e sallës operatore për hundë dhe grykë, dhe për duart tek instrumentistët. Marrja e mostrave është bërë edhe mbi efektshmërinë e solucioneve dezinfektante, kurse për materialet me një përdorim është bërë prova e sterilitetit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›