Ligji antiduhan, 122 gjoba për një muaj
Pas pesë vitesh nga miratimi i tij, ligji kundër pirjes së duhanit ka nisur zbatimin në terren. Ministria e Shëndetësisë ka gjetur mekanizmin për vjeljen e gjobave, duke i kthyer në titull ekzekutiv, që zbatohet nga Përmbarimi shtetëror dhe ai privat. Task-Forca e Tiranës që po eksperimenton kontrollin për të kaluar më pas në rang vendi, vetëm për një muaj ka vendosur 122 gjoba nga 50 mijë lekë të reja. Nëse shuma nuk paguhet në fund të muajit, ajo shkon në 80 mijë lekë, duke shtyrë të paktën në 9 raste pronarët e lokaleve të derdhin vullnetarisht gjobën. “Po paguhen gjobat e para vullnetarisht, këto gjoba janë taksative. Në momentin që kjo gjobë vendoset, merr formën e prerë dhe në qoftë se subjekti nuk e paguan brenda 10 ditëve me vlerën 50 mijë lekë të reja, do të detyrohet që çdo ditë të paguajë kamatëvonesë 2%, që në fund të muajit shkon në vlerën 80 mijë lekë”, - tha kreu i Task-Forcës Antiduhan, Roland Shuperka. Ai bën të ditur se gjobat nuk do të falen dhe se pronarët nuk mund të apelojnë pranë institucioneve shëndetësore. Shumë shpejt aksioni do të shtrihet edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë.