Buxheti 2012, pronarët të pakënaqur me fondin e kompensimit
Pak orë para nisjes së shqyrtimit nen për nen të buxhetit të vitit 2012, pronarët e ligjshëm shprehin pakënaqësi për fondet që janë parashikuar për kompensimin. Anëtari i kryesisë së shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Myrshit Vorpsi tha se fondi prej 1.7 miliardë lekësh është i pamjaftueshëm. Sipas tij, nga ky fond, vetëm 300 milionë do t’u shpërndahen pronarëve si kompensim, pasi pjesa tjetër shkon për të asistuar procesin e legalizimeve. Vorpsi përmend faktin se në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave prej vitit 2008 janë rreth 8 mijë dosje, që vijnë nga gjykatat dhe presin të zbatohen. Sipas Vorpsit, fatura e borxhit ndaj tyre rritet edhe më shumë nga viti në vit, pasi shumë pronarë të ligjshëm po i drejtohen Gjykatës së Strasburgut, duke marrë nga ajo të drejtën për pronën e tyre. Prandaj, ai thotë se tashmë për problemin e pronësisë nevojitet një qasje e re. Buxheti i vitit të ardhshëm do të diskutohet nen për nen në komisionet parlamentare gjatë kësaj jave. Gjatë shqyrtimit, buxheti pritet të pësojë disa ndryshime, për të cilat kampet politike kanë rënë parimisht dakord. Votimi në tërësi i buxhetit do të bëhet në seancën e datës 5 dhjetor.