E Diel, 1 Nëntor 2026

“Zhduken” fishekzjarrët, Bashkia kontroll tregjeve për lëndët plasëse

SHKRUAN: Jonida Tashi 30-11-2011 14:22

Rritet me 30% çmimi i lodrave kineze, që konsiderohen të rrezikshme për fëmijët

Në tregjet e shumicës në kryeqytet janë “zhdukur” fishekzjarrët. Ndërsa na ndan vetëm një muaj nga mbërritja e festave të fundvitit, në këto tregje rrallë të sheh syri fishekzjarrë, produkte këto që më parë në këtë periudhë i gjeje me shumicë. Tashmë vihet re lehtësisht mungesa e tregtimit të tyre, ndërsa biznesmenët thonë se kjo ka ardhur si pasojë e zjarrit të fuqishëm që ra pak ditë më parë në magazinën e fishekzjarrëve në Tiranë, si dhe kontrolleve që po ushtrojnë këto ditë autoritetet e Bashkisë së Tiranës. Pas shpërthimit të magazinës së fishekzjarrëve pranë zonës së Tregut Ushqimor në ish-Qytetin Nxënësve në Tiranë, Bashkia njoftoi nisjen e një aksioni në të gjithë qytetin për kontrollin e shitjes së lëndëve me rrezikshmëri, veçanërisht ato plasëse dhe helmuese. Rezultatet e para të këtij aksioni duket se janë pozitive për ruajtjen e shëndetit të njerëzve, ndërkohë që bëhet e ditur se këto inspektime do të vijojnë në mënyrë periodike për të arritur një kontroll të plotë për standardet e sigurisë në tregtimin e këtyre lëndëve, për të garantuar jetën e qytetarëve. Aksioni është shtrirë në 4 pikat kryesore ku tregtohen këto produkte, siç është “Tregu çam”, sheshi “Avni Rustemi”, te Medreseja dhe më poshtë te Stacioni i Trenit, pika ku sistematikisht tregtohen këto produkte të rrezikshme, lëndë plasëse, ndezëse. Por, me gjithë mungesën e fishekzjarrëve në treg, atmosfera e pragfestave nuk mungon në pikat e shitjes me shumicë. Lodra të ndryshme, pema e Krishtlindjeve apo e Vitit të Ri tregtohen kudo. Tregtarët pranojnë se të gjitha produktet janë të importuara nga Kina, ndërsa për çmimet, edhe pse periudhë krize, këtë vit janë 30% më të shtrenjta. Veç çmimit, një tjetër problem me këto lodra është rrezikshmëria që ato paraqesin për fëmijët për shkak se përmbajnë kimikate të rrezikshme. Për këtë arsye, pak ditë më parë, duke marrë parasysh festat e fundvitit që po afrojnë dhe konsumimin e tyre më të madh që ato ofrojnë në treg, organizatat e shoqërisë civile kërkuan marrjen e masave të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut lidhur me rrezikshmërinë e lodrave të fëmijëve. Në Shqipëri janë konstatuar probleme serioze në lidhje me lodrat e fëmijëve. Veshjet tekstile të ndryshme për fëmijë, kukullat, makinat me rrota, lodrat plastike nuk shoqërohen me paralajmërimet përkatëse. Lodrat prej druri: rosakë, kuaj dhe kafshë të tjera paraqesin rrezikun më të madh të shkëputjes së pjesëve të vogla të trupit të tyre dhe gëlltitjen nga fëmijët, e cila shkakton rrezik fatal ndaj tyre. Kukulla për përdorim nga mosha 3-vjeçare rezultojnë me përmbajtje kimikatesh. Këpucë për vajza, ngjyrë të kuqe me pak takë, shkaktojnë tek fëmijët sëmundjen e lëkurës dhe myk. Sholla e këpucës përmban sasi të caktuara plastifikatori dhe pasojat ndaj tyre janë kancerogjene. Ndaj, ekspertë të fushës kërkojnë verifikimin e lodrave për etiketat përkatëse, si dhe rritjen e rolit të pikave doganore për zhdoganimin e lodrave të dala jashtë standardit.

Aksioni është shtrirë në katër pikat kryesore ku tregtohen këto produkte, siç është “Tregu çam”, sheshi “Avni Rustemi”, te Medreseja dhe më poshtë te Stacioni i Trenit, ku sistematikisht tregtohen këto produkte të rrezikshme, lëndë plasëse, ndezëse etj.

Djegia e tregut, tregtarët kërkojnë ndihmë

Kur ka kaluar më shumë se një javë nga dita kur një zjarr i fuqishëm shkatërroi Tregun Ushqimor në ish-Qytetin Nxënësve në Tiranë, tregtarët tashmë kanë nisur punën për të ngritur sërish aktivitetet e tyre. Sipas tregtarëve, përveç dëmeve të shkaktuara, një javë pa punë është shumë për ta, pasi tregtimi i produkteve ushqimore ishte i vetmi burim të ardhurash për të mbajtur gjithë familjen. “Nuk na kanë dëmshpërblyer, ndërsa kemi parë një amulli duke u detyruar që t’i bënim vetëm riparimet. As nga Bashkia, as nga qeveria nuk kemi marrë ndonjë përgjigje, pavarësisht deklarimeve të humbjeve që kemi bërë”, - thotë një tregtar. Në Shqipëri mungon kultura e sigurimit të pasurisë dhe të gjitha dyqanet e shkatërruara nga zjarri nuk kanë qenë të siguruara e për pasojë nuk përfitojnë dëmshpërblim. Tregtarët kanë deklaruar se dëmi financiar është shumë i madh dhe se presin dëmshpërblim për këtë humbje që kanë pësuar. Po sipas tyre, veç mallit të shkatërruar, një dëm edhe më i madh është djegia e dokumenteve të shkëmbimit të mallrave mes tregtarëve të shumicës dhe dyqaneve të pakicës që furnizoheshin atje, pasi shumica janë të palikuiduara. Në këtë treg ku furnizohen me produkte me shumicë edhe tregtarët e rretheve, u dogjën rreth 30 biznese, ndërsa vlera e dëmit llogaritet në rreth 70 milionë lekë. Duke parë dëmet, nevojitet lëvrimi i një fondi të posaçëm, të paktën për rindërtimin e godinave dhe për shpërblimin e tregtarëve të dëmtuar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›