E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nata e Bardhë” privatizohet nga biznesi

Lokalet e natës në kryeqytet kanë organizuar aktivitete të ndryshme festive

Festa e “Natës së Bardhë”, traditë e nisur që prej vitit 2004 nga ish-kryebashkiaku Edi Rama, për 29 Nëntorin, këtë vit është privatizuar nga biznesi në Tiranë. Ashtu siç pritej, Bashkia e Tiranës e ka hequr nga kalendari i festave “Natën e Bardhë”, duke i organizuar të gjitha aktivitetet artistike dhe kulturore në datën 28 Nëntor, me rastin e shpalljes së Pavarësisë. Por, pavarësisht vendimeve të politikës për anulimin dhe mosnjohjen e festave të kundërshtarëve, për kryeqytetasit dhe biznesin, “Nata e Bardhë” duket se është kthyer në traditë. Në rrugët e Tiranës, posterat e ndryshëm të lokaleve të natës njoftonin aktivitete të ndryshme për festimin e “Natës së Bardhë”, ndërsa të rinjtë thoshin se do të festonin të organizuar me shoqëritë e tyre. Si gjithmonë vendi më i preferuar për të rinjtë mbeten lokalet e natës që ofrojnë muzikë live, karaoke, ndërkohë që si “karrem” për të thithur sa më shumë klientelë për “Natën e Bardhë”, pronarët e lokaleve kanë ftuar në ambientet e tyre këngëtarë të njohur. Por, nga festimet për “Natën e Bardhë” të majtët nuk kanë hequr dorë as këtë vit, duke i zhvendosur ato në Vlorë, aty ku pushtetin vendor e kanë socialistët. Këtë vit, qyteti i Vlorës është kthyer në qendrën e festimeve të 28 dhe 29 Nëntorit. Aktivitetet e “Natës së Bardhë” kanë nisur në orën 18:00, në qendër të Vlorës dhe kanë vazhduar gjatë gjithë natës në lokalet e qytetit bregdetar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›