E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samir Ujkani: Kombëtarja nuk është Novara

Portieri 23-vjeçar mendon se ka ende për tu përmirësuar: Një gabim sado i vogël kthehet në gol me kombëtaren

Është treguar gjithmonë i sinqertë dhe ka marrë përgjegjësitë që i takonin si me Francën ashtu dhe me Luksemburgun. Samir Ujkani e ndien që duhet të përmirësohet më shumë, për të shmangur ato gabime që i kushtuan jo pak Shqipërisë në dy ndeshjet e fundit.

Samir, ndeshja e radhës sërish me Francën, që na mundi para një muaji?

Pas rezultateve negative që kemi pasur në dy ndeshjet e fundit, duhet të bëjmë një paraqitje të mirë dhe të përpiqemi të marrim një rezultat pozitiv.

Luajmë në transfertë dhe me shumë mungesa në formacion?

Jemi 24 veta të grumbulluar dhe ata që do të luajnë, do të japin maksimumin. Shpresojmë të shkojë mirë kjo ndeshje.

Sa ndryshon paraqitja jua nga Novara te kombëtarja?

Kombëtarja është niveli maksimal, pasi luajmë kundër lojtarëve më të mirë, por edhe në klub duhet të përballesh me emra të mëdhenj. Te Novara stërvitem çdo ditë me të njëjtët futbollistë, ndërsa nuk kombëtare grumbullohesh për një periudhë të shkurtër, ku duhet të bësh gjithçka. Forma ime nuk ndryshon, unë jap maksimumin si në klub ashtu edhe në kombëtare. Kam nevojë të luaj sa më shumë.

Ndaj Francës në Qemal Stafa pësuat 2 golave brenda 18 minutave?

Ne duhet të luajmë shumë të organizuar. Kur luan kundër ekipeve kaq të mëdha, gabimi më i vogël kthehet në gol, ndaj duhet të bëjmë kujdes. Shpresoj që gjithçka të na shkojë mirë.

Ju tashmë keni luajtur shumë ndeshje me Shqipërinë. Besoni se jeni përmirësuar dhe çliruar nga emocionet?

Qysh në ndeshjet e para e kam ndier besimin e trajnerit, të lojtarëve dhe të presidentit. Jam në një fazë që duhet të mësoj akoma shumë, por nga ana tjetër duhet të shmang gabimet që kam bërë.

Si e konsideroni këtë fillim kampionati me Novarën? Keni marrë atë që keni merituar?

Me pikët jemi të kënaqur. Por nëse shikojmë ndeshjet, duhej të kishim 3 pikë më shumë. Kemi pasur probleme me gjyqtarët dhe me gabimet tona, pasi shumë lojtarë nuk kanë eksperiencë në Serinë A dhe po bëjnë gabime të vogla. Kemi treguar se mund ta mbajmë një nivel të caktuar si kundër Interit, ashtu edhe kundër Atalantës dhe Katanias.

Megjithatë keni pësuar shumë gola te Novara?

Po, por më pak se Hulio Çezar i Interit.

Mendoni se e keni hedhur një hap të rëndësishëm dhe se mund të qëndroni për shumë vite në Serinë A?

Jam në një fazë që po mësoj shumë gjëra dhe për mua është e rëndësishme që të luaj. Në Serinë A ka lojtarë më të mirë se në Serinë B, por shumë skuadra janë thuajse në të njëjtin nivel. Torino për mua është me e fortë se Kievo apo se Atalanta. Unë dua vetëm të luaj, në Serinë A apo B.

Keni luajtur më parë në një stadium të madh si Stade de France?

Kam luajtur në San Siro.

Pra, sdo ta keni problem ambientimin?

Jo.

Blank plotëson grupin me Sise dhe Methiu

Para dy ndeshjeve të fundit kualifikuese në grup, me Shqipërinë dhe Bosnjën, trajnerit të Francës, Loren Blank, i duhet të përballojë situatën pa disa lojtarë cilësorë, që janë të dëmtuar. E sigurt është se ndaj Shqipërisë do të mungojnë Benzema, Sanja, Riberi, Gamerio, mbase edhe Abidal. I gjenduar para këtyre dëmtimeve që kanë ardhur së fundi, trajneri Blank e ka plotësur grupi me dy lojtarë të tjerë.

Dje Gjelave u janë bashkuar sulmuesi i Lacios, Xhibril Sise, si dhe mbrojtësi i Valencias, Zheremi Methiu. Para ndeshjes së 2 shtatorit mes Shqipërisë dhe Francës, kapiteni kuqezi, Lorik Cana, do të shprehej për mediat franceze që Zhibril Sise e meriton të thirret në kombëtare. Për koincidencë, para ndeshjes së 7 tetorit realizohet kjo kërkesë e Canës për shokun e tij të skuadrës te Marseja dhe së fundi te Lacio.

Sise ka zhvilluar 40 ndeshje me kombëtaren franceze, ka shënur 9 gola dhe u mungon gjelave nga shkatërrimi që patën në botërorin e 2010-ës. Është një ditë e madhe për mua, pasi jam thirrur në ekipin kombëtar. Jam shumë i gëzuar dhe jam krenar që do të kem mundësi të kontribuoj për vendin tim,- është shprehur dje sulmuesi Xhirbril Sise.

Francë- Shqipëri gjykohet nga një treshe greke

Takimi Francë-Shqipëri, që do të luhet me 7 tetor, ora 21:00 në stadiumin Stade de  France, do të gjykohet nga një treshe greke, i kryesuar nga Mihalis Kukaulaqis. Gjyqtari Kukaulaqis është i datëlindjes 25 qershor 1975 dhe është gjyqtart i FIFA-s që nga viti 2008. Statistikat tregojnë se greku është një gjyqtar strikt, pasi e nxjerrë shpesh nga xhepi kartonin e verdhë.

Për kompanitë e basteve, Shqipëria nuk ekziston

Normalisht që nuk pritet shumë nga kuqezinjtë në përballjen e së premtes me Francën. Por, sipas koeficientëve të publikuar nga disa agjenci bastesh, duket qartë që Shqipëria nuk ekziston. Francezët janë favoritë absolutë dhe fitorja e tyre kuotohet minimalisht 1.09, barazimi ka koeficientin 8.2, ndërsa fitorja e Shqipërisë vlerësohet me koeficient 20.45. Kouta të tilla nuk janë të denja as për ekipe të tipit San-Marino.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›