E Diel, 1 Nëntor 2026

Memushi: Tomori do të jetë dinjitoz, ka lojtarë cilësorë dhe tifozë të zjarrtë

Nga RUSHAN DOSTI

Ashtu si dhe një vit më parë, vlonjati Eqerem Memushi do të ketë në krah beratasin Theodhori Arbri

Është mirëpritur rikthimi në krye të Tomorit i trajnerit vlonjat Eqerem Memushi, i cili që në stërvitjen e tij të parë është ndjekur nga qindra tifozë beratas, të cilët i kanë uruar mirëseardhjen. Nga ana e tij, vlonjati ka hartuar menjëherë strategjinë e tij në krye të Tomorit, e cila ka të bëjë me integrimin e skuadrës në grupin e skuadrave elitare dhe përballimin e kampionatit me dinjitet.

Me ardhjen e trajnerit të ri, ekipi do të akomodohet si për fjetje, ashtu edhe për ushqim, në qytetin e Beratit. Duke filluar nga dita e djeshme, skuadra është sistemuar në hotelin e stadiumit Tomori, ku përveç fjetjes, lojtarët do të trajtohen edhe me ushqim nëpërmjet funksionimit të një mence të veçantë. Sa i përket problemit të seancave stërvitore, është menduar që ato të zhvillohen në qytetin e Poliçanit, ku për shkak të mungesës së një skuadre të këtij qyteti, ajo do të jetë në dispozicion të beratasve.

Trajneri Kam ardhur në Berat me dëshirën e mirë për të punuar dhe për të ndërtuar një skuadër sa më dinjitoze. Tomori ka një komunitet sportiv të mrekullueshëm dhe një ekip me lojtarë mjaft cilësorë, gjë që më obligon për më shumë përkushtim e sakrifica.

Unë e njoh mirë Beratin, njoh mirë dhe karakterin e Tomorit, kështu që besoj se do të gjej mirëkuptimin e duhur për të pasur një ekip futbolli mes skuadrave më të mira të vendit, – ka deklaruar trajneri i sapoemëruar i Tomorit, Eqerem Memushi. Që nga dita e djeshme, në krah të Memushit, përveç trajnerit të portierëve, Madrid Muxhaj, do të jetë Theodhori Arbri, njeriu me të cilin ai punoi në fazën e parë të edicionit të kaluar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›