I. Lika: Ti ruhemi euforisë, Flamurtarin e mundëm edhe vjet
Sështë momenti që të trumbetojmë fitoren ndaj vlonjatëve, bëmë vetëm detyrën, tashmë të marrim tri pikët me Vllazninë në Shkodër
Gardiani Ilion Lika, pas ndeshjes me Flamurtarin, natyrisht që nuk e fsheh gëzimin për tri pikët ndaj nënkampionëve të vendit. Megjithatë, sipas Likës, fitorja e arritur ishte detyra e shtëpisë e realizuar më së miri nga bardheblutë. Por vetëm kaq, sepse kampionati sapo ka nisur dhe Tirana duhet të luftojë në ndeshjet e radhës, duke filluar që nga transferta me Vllazninë.
Në një prononcim ekskluziv dhënë dje për Sportin shqiptar, Ilion Lika ka folur në lidhje me tri fitoret e fundit, por përgëzon edhe lojën që ka zhvilluar Tirana në këto katër javë. Derdhëm shumë djersë në fushë ndaj vlonjatëve dhe në fund të ndeshjes u shpërblyem me tri pikë. Ishte vetëm përballja e radhës dhe ne bëmë detyrën, duke mundur një rival, siç është Flamurtari, duke matur edhe forcat tona se deri ku e kemi hapin këtë sezon.
Por tashmë duhet të bëjmë shumë kujdes, sepse është një moment shumë delikat dhe përfiton ajo skuadër që gabon më pak. Të mos harrojmë që edhe vjet fituam me Flamurtarin në Qemal Stafa. E rëndësishme është që jemi në rrugë të mbarë. Unë vë re që me ardhjen e Klodian Duros ne jemi përforcuar akoma më tepër dhe kjo tregon edhe një herë sforcon e madhe që po bën presidenti ynë dhe drejtuesit e klubit për të ndërtuar një Tiranë të madhe dhe me ambicie për të fituar titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë.
Në skuadër ka djem shumë të mirë, duke mos bërë asnjë përjashtim. Kjo është një armë shumë e forte, që rrallë ekipe e kanë. Këtu edhe lojtarët e rinj kanë fatin që po punojnë me një trajner të madh dhe me personalitet, siç është Rubio, por edhe ne po i mbajmë shumë afër, – u shpreh gardiani i Tiranës, Ilion Lika.
Mbrojtja Në repartin difensiv të Tiranës ka lojtarë cilësorë, duke filluar që nga kapiteni Sina e me radhë, Pisha, Dushku, Ahmataj, Ferraj, Situma, Kalari e ndonjë tjetër. Bashkë me Ilion Likën, pa dyshim që në ndeshjen me Flamurtarin kanë qenë në lartësinë e detyrës, duke mbajtur nën vëzhgim të rrept sulmuesit vlonjatë. Jam shumë i kënaqur që kemi një mbrojtje shumë të mirë dhe me lojtarë që kanë eksperiencë dhe kanë fituar edhe trofe.
Personalisht ndihem shumë komod, ndërsa golat që janë pësuar deri më tani thjesht kanë ardhur për mendjemadhësi apo nëvleftësim. Gjithsesi, mbrojtja jonë e tregoi veten edhe ndaj një skuadre si Flamurtari, që ka sulmues cilësorë dhe të gjithë lojtarët e prapavijës ishin në lartësinë e detyrës.
Morina Më vjen mirë që pas Bekim Balës një tjetër sulmues i Tiranës zhbllokohet dhe shënon ndaj një ekipi si Flamurtari. E kam fjalën për Mario Morinën, i cili është vetëm 19 vjeç dhe me të ardhme, por duhet që të punojë akoma më tepër. Edhe sulmi i Tiranës tashmë ka filluar që të shihet me një sy tjetër, sepse ne çdo javë po shënojmë.
Vllaznia Sipas portierit Lika, skuadra e tij duhet që të mendojë për ndeshjen e radhës dhe duhet ti harrojë fitoret që ka marrë deri më tani. Kalendari e ka vënë përballë Vllaznisë, një ndeshje shumë e vështirë që duhet kaluar patjetër. Duhet që të bëjmë shumë kujdes në ndeshjen e radhës, të shkojmë në Shkodër dhe të tregojmë se jemi Tirana.
Kundërshtari ka një sulm shumë të fortë dhe, në qoftë se do të arrijmë që ti mbulojmë sulmuesit e Vllaznisë, besoj se do ta kemi më të lehtë për të marr rezultat pozitiv në Loro Boriçi, – theksoi në mbyllje të prononcimit të tij portieri i Tiranës, Ilion Lika.
