Lila: Jemi më këmbë në tokë, Franca kampione bote
Ne e kemi treguar edhe në të shkuarën se dimë të marrim rezultate pozitive ndaj skuadrave të mëdha
Trajneri i kombëtares, Josip Kuzhe, qysh kur është emëruar në këtë detyrë i ka besuar shumë Andi Lilës, edhe pse aktivizohej me Tiranën në superiore dhe jo në kampionatet e europiane. Madje Kuzhe e rreshtoi për herë të parë në mesfushë, si shkatërrues, ide e cila u kopjua nga trajnerët e Tiranës dhe së fundmi nga PAS Janina. Rikthimi i tij në formacionin kuqezi i sjell një lloj qetësie Kuzhes, pasi energjia e tij në mesfushë vendos ekuilibrat në skuadër
Mungesa Lila shpreh keqardhje për dy humbjet me Luksemburgun edhe për faktin që ai nuk ishte në fushë, ndoshta për të bërë diçka më shumë. Përderisa bëmë një nisje të mirë të këtyre eliminatoreve, në shumë ndeshje bëmë paraqitje shumë të mira, por në dy ndeshjet e fundit nuk luajta pasi isha i dënuar. Më erdhi shumë keq që ekipi nuk fitoi në këto përballje për të realizuar qëllimin që i kishim vënë vetes në fillim të sezonit për të ngjitur shkallët në klasifikimin e përgjithshëm.
Franca Mundësitë që Shqipëria të marrë rezultat pozitiv në Francë janë të pakta, megjithatë ato ekzistojnë. Lila qëndron me këmbë në tokë dhe kërkon që lojtarët të bëjnë më të mirën, pa menduar shumë për rezultatin: Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të flasim realitetin. Franca është një nga skuadrat më të forta në botë dhe ka fituar më parë titullin europian e botëror.
Ajo mund edhe skuadrat më të forta të botës. Për ne është e rëndësishme të japim më të mirën tonë dhe ne kemi treguar dhe në të shkuarën se dimë të marrim rezultate pozitive ndaj skuadrave të mëdha. Secili që aktivizohet në fushë të japë më të mirën e vet, pasi fanella e kombëtares është e rëndë dhe ne në këto sfida përfaqësojmë një komb të tërë.
PAS Janina Kemi zhvilluar pesë ndeshje në kampionat dhe unë kam luajtur pesë ndeshje të plota, me nga 90 minuta. Ky është fillimi më i mirë i mundshëm, që nuk e kisha parashikuar as vetë. Kemi bërë një prezantim të mirë, pasi kemi tetë pikë dhe vetë sportdashësit në Greqi nuk e kanë besuar këtë. Jemi në hapat e duhura dhe mendoj se kemi lojtarët dhe grupin për të bërë gjëra të mira. Janina në 7 vitet e fundit ka qenë me oshilacione të mëdha, një herë në të parën e një herë në të dytën, por objektivi ynë si skuadër këtë edicion është të qëndrojmë në kategorinë e më të mirëve.
Pozicioni Lila është pa dyshim një nga lojtarët më të rëndësishëm të PAS Janinës. Jo më kot ai është aktivizuar në disa pozicione, së fundmi si mbrojtës i majtë: Faktikisht, në katër ndeshje kam luajtur mesfushor qendre në kampionatin grek dhe një herë mbrojtës i majtë. Për mua nuk ka kurrfarë problemi, pasi e rëndësishme është që të ndihmoj skuadrën që ajo të fitojë.
Pra, që të bëjmë një paraqitje të mirë si skuadër. E mira është të përshtatesh në një rol dhe të japësh maksimumin në fushën e lojës për 90 minuta. Personalisht pëlqej të luaj në mesfushë, por nga ana tejetër, dua ti vij sa më shumë në ndihmë skuadrës, qoftë klubit ku aktivizohem apo kombëares.
Në Janinë, si në Shqipëri
Andi Lila është ndër më të vlerësuarit nga tifozëria e Janinës edhe për faktin që në këtë qytet jeton një komunitet i madh shqiptarësh: Në Janinë jetojnë afro 10 mijë shqiptarë. Unë përditë takoj njerëz të rinj dhe ata vijnë të më përshëndesin dhe më inkurajojnë. Kjo është shumë pozitive për mua dhe më ka ndihmuar mjaft. Kjo është dhe një shtysë për të dhënë maksimumin në çdo ndeshje.
Për Tiranën
Unë e dua Tiranën kampione. Kam kaluar tre vite më të mira te Tirana, tri vite të gëzueshme. Vazhdoj të mbaj kontakte me shokët e mi te Tirana.
Për Sabien Lilën.
Ai është lojtar shumë i mirë. Edhe në kombëtare mund të bashkëpunojmë, si te Tirana. E di që ai po rritet shumë profesionalisht dhe është një lojtar me të ardhme.
