Kuzhe shpalos strategjinë, luajmë me 5 mbrojtës
Dje trajneri ka zhvilluar një mbledhje të gjatë, duke analizuar gabimet që bëmë në ndeshjen e parë me Francën
Ishte thuajse mesditë, momenti kur tre futbollistë kuqezinj duhej të bëheshin gati për konferencën për shtyp, por salla ishte e kyçur dhe gazetarët nuk mund të futeshin brenda në orarin e caktuar. Arsyeja? Josip Kuzhes nuk i kishte mjaftuar një orë për të zhvilluar analizën me skuadrën. Vëmendja është përqendruar te mënyra se si Shqipëria duhet të përballet me Gjelat në Stade de France, mbrëmjen e 7 tetorit.
Nuk ka qenë e vështirë për tua shpejguar futbollistëve forcën dhe mënyrën e lojës së këtij kundërshtari për faktin se një muaj më parë Franca fitoi 2-1 në Qemal Stafa. Por, gjithsesi, ka shumë gjëra për të mësuar. Franca iu afrua vetëm tri herë portës sonë në pjesën e parë dhe shënoi dy herë, mësohet tu jetë drejtuar trajneri futbollistëve.
Shpërqendrimi dhe rreshtimi i gabuar sollën dy gola krejtësisht të evitueshëm. Për 1 orë e gjysmë është parë ndeshja e një muaji më parë, janë nxjerrë konkluzionet dhe është ndërtuar strategjia në bazë të grupit që Kuzhe ka në dispozicin.
5 mbrojtës apo 5 mesfushorë? Një gjë është e sigurt: Kuzhe do të hedhë në fushë vetëm një sulmues të deklaruar, ndërsa pjesa tjetër e skuadër përballë një kundërshtari kaq të fortë duhet të mendojë më shumë për mbrojtjen. Në momentin kur skuadra merr topin dhe sulmon, bëhen 5 mesfushorë, ndërsa kur Franca i afrohet zonës sonë, një ngames fushorët kthehet mbrojtës.
Dy skemat që do të alternohen gjatë 90 minutave janë 4-5-1 dhe 5-4-1. Ndonëse Kuzhe nuk e ka vendosur përfundimisht se cila do të jetë 11-shja titullare, është krijuar një ide fillestare. Dje, në seancën stërvitore të pasdites, kroati ka zhvilluar një ndeshje kontrolli, ku në njërin krah ka aktivizuar formacionin titullar.
Në portë Ujkani. Në mbrojtje: Dallku nga e djathta, Cana-Lila në qendër dhe Vangjeli më të majtë. Në mesfushë: Gilman Lila (ose Bakaj) në të majtë, Hyka pas sulmuesit, Duro si organizator, Muzaka në të djathtë dhe Roshi i spostuar disi më para, ndërsa Salihi në vijën e parë. Ne momentin kur Muzaka shndërrohet në mbrojtës, Roshi tërhiqet më shumë në mesfushë nga e djathta.
Bulku mbetet jashtë
Ervin Bulku nuk do të mund të japë kontribut në fushën e blertë ndaj Francës. Dëmtimi që ka pësuar pak ditë më parë në kofshë nuk e lejon të jetë në 100% të formës fizike të premten, ndaj Francës. Gjithsesi, stafi teknik shpreson që ai të riaftësohet në kohë për ndeshjen e fundit në grup, ndaj Rumanisë më 11 tetor.