E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti BE-Rusi, përcaktohen prioritetet e bashkëpunimit



Bashkimi Europian dhe Rusia kanë rënë dakord për zhvillimin e marrëdhë një partneritet i cili do të zbuste marrëdhëniet mes vendeve. Në përfundim të samitit të 25-të, BE-Rusi që u zhvillua në qytetin rus Rostov në Don, nuk pati rezultate të prekshme, por çtensionoi situatën e krijuar. Të dyja palët premtuan më shumë bashkëpunim, pikërisht në këto vite krize. Rusia pati shpresuar se BE-ja do të hiqte detyrimin për viza për qytetarët rusë, gjë që vlen për disa shtete të Ballkanit Perëndimor. Medvedev u duk i zhgënjyer, por tregoi edhe mirëkuptim. Ai u shpreh se BE-së iu prezantua një projekt për heqjen e vizave, çka nënkupton se ai duhet të shqyrtohet edhe në vijim. “Vendi ynë është i gatshëm që ta zgjidhë këtë problem, nga ne nuk ka pengesa. Por natyrisht që ne e kemi më të lehtë, sepse ne jemi një vend, kurse BE-ja përbëhet nga 27 shtete. Në mënyrë që bashkëpunimi në këtë fushë të funksionojë, ne u paraqitëm partnerëve tanë të BE-së një projekt për heqjen e vizave për qytetarët e Rusisë dhe të BE-së dhe shpresojmë shumë që ta studioni me vëmendje këtë dokument dhe që të avancojmë në këtë drejtim”. Por janë shumë shtete të BE-së që druhen se heqja e vizave do të shpërdorohej. Prandaj heqja e vizave mund të zgjasë edhe më shumë. Presidenti i Këshillit Europian, Van Rompuy nuk u druajt që të përmendte problemet reciproke. “Për të drejtat e njeriut ka pasur përparime, por situata e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe për gazetarët në Rusi i jep të gjithë publikut europian shkas për t’u shqetësuar shumë. Shqetësim sjell edhe situata e mungesës së ligjit në Çeçeni dhe unë vura re se edhe presidenti Medvedev e mbështet këtë shqetësim”, tha Van Rompuy. Presidenti rus nuk iu përgjigj kritikave, por i dëgjoi ato me shprehje të qetë në fytyrë edhe kur u bë fjalë për proteksionizëm ose sjelljen ruse në lidhje me Gjeorgjinë. Ndryshimi më i rëndësishëm në raportin midis BE-së dhe Rusisë duket që qëndron në një atmosferë më të shtensionuar. Vitet gjatë të cilave në Rusi president ishte Vladimir Putin ishin edhe vite të përplasjes me BE-në. Pasardhësi i Putinit, Dimitri Medvedev shpalli disa herë reforma, jo vetëm në politikën ekonomike, por edhe në politikën sociale. BE-së i mungojnë në fakt rezultatet, megjithatë ai është në gjendje ta vlerësojë ndryshimin e kursit, siç i tha presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy presidentit rus: “Rusia ndodhet në një kryqëzim. Synimi i presidentit Medvedev, për ta mbështetur modernizimin e Rusisë në vlerat demokratike të shekullit të 21-të, duke ndërtuar një ekonomi të larmishme, dinamike, duke kërkuar pjesëmarrjen e shoqërisë civile, është një zhvillim i rëndësishëm. Ne duam të jemi partnerë të Rusisë në modernizim”.

SHBA
Nis hetimi për derdhjen e naftës në Gjirin e Meksikës

Qeveria amerikane ka filluar një hetim për derdhjen masive të naftës që u shkaktua nga një shpërthim i fuqishëm në një platformë të kompanisë “British Petrolium” në Gjirin e Meksikës në muajin prill. Prokurori i Përgjithshëm, Erik Holder, premtoi se cilido që ka shkelur ligjin do të ndëshkohet. Duke folur gjatë një konference për shtyp në Nju Orleans, Holden nuk tha se kush do të ishte objektiv i hetimit. “Nëse gjejmë prova për sjellje të paligjshme ne do të reagojmë me forcë të madhe. Ne kemi udhëzuar të gjitha palët për të ruajtur çdo dokument që mund të hedhë dritë mbi faktet rreth kësaj katastrofe”.

Japoni
Jep dorëheqjen kryeministri Hatoyama

Kryeministri japonez, Yukio Hatoyama, ka njoftuar dorëheqjen. Sondazhet tregojnë se mbështetja për zotin Hatoyama ka rënë ndjeshëm në javët e fundit. Ai u vë nën presion nga anëtarët e partisë së tij, të cilët kanë frikë se humbasin në zgjedhjet për njërën nga dhomat e parlamentit, që zhvillohen në muajin korrik.
Popullariteti i kryeministrit ra pas një fushate premtimesh për të larguar një bazë ushtarake amerikane nga ishulli “Okinaua” si edhe pasojat e një skandali financimesh për partinë e tij demokratike. "Unë jap dorëheqjen nga posti aktual, të njëjtën gjë do të bëjë edhe Sekretari i Përgjithshëm, Ichiro Ozaua”.

Gjermani
Favorite për presidente, ministrja e Punës, Von der Leyen

Mbas dorëheqjes së befasishme të presidentit Horst Kohler, Gjermania është në kërkim të një presidenti të ri. Emri më i lakuar deri tani është ai i ministres së Punës, Ursula von der Leyen. Von der Leyen gëzon respekt në Gjermani për shkak të punës që ka bërë në legjislaturën e mëparshme si ministre e Familjes. Nëna e shtatë fëmijëve është mjeke me profesion dhe e ka filluar karrierën e saj në politikën shëndetësore të Hanoverit. Në vitin 2001 ajo u bë për herë të parë ministre në qeverinë demokristiane të Saksonisë së Poshtme. Me von der Leyen në krye të shtetit Gjermania do të kishte për herë të parë një presidente femër.

Angli
Qëllon me armë, mbesin të vrarë katër persona

Katër persona kanë mbetur të vdekur në Uajthevën, në Angli, pasi një person i quajtur Derrick Bird ka qëlluar si i çmendur me armë zjarri nga makina e tij në një rrugë të populluar. Por, sipas policisë lokale, numri i viktimave mund të jetë më i lartë, ndërkohë që shumë persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Më pas Bird ka braktisur makinën e tij për t’u larguar në këmbë dhe është gjetur pak momente më vonë nga forcat e policisë i vdekur në qytezën e Butit. Sipas autoriteteve, dyshohet se ai ka vrarë veten. Policia e qytetit ende nuk ka bërë të ditura detaje, lidhur me këtë ngjarje të rëndë.

3 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›