E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të gjithë nëpër vendet e tyre”, Shqipëria politike nga Preç Zogaj

Libri ka në fokus ngjarjet dhe marrëdhëniet politike të periudhës 2005- 2009 në Shqipëri

Izaura Ndoj

Një libër politik i shkruar si një libër artistik “Të gjithë nëpër vendet e tyre” ka në fokus ngjarjet dhe marrëdhëniet politike të periudhës 2005- 2009 në Shqipëri. Në vazhdën e librave të mëparshëm të së njëjtës kolanë, Preç Zogaj, sjell si shkrimtar dhe si dëshmitar pamjet e një bote që rrotullohet non stop në sytë e publikut, siç është politika, por megjithatë, mbetet e panjohur dhe e huaj për shkak të hendekut që ka krijuar me publikun. Universiteti Europian i Tiranës dhe shtëpia botuese “Dita 2000” organizuan dje në mjediset e Hotel Rogner prezantimin e librit të politikanit dhe shkrimtarit, Preç Zogaj. Gjatë fjalës së tij Zogaj tha se “Ishte dëshira ime por edhe e Universitetit Europian që të organizonim një prezantim midis gazetarëve dhe analistëve politik. Vetë jeta ime profesionale është ndarë midis gazetarisë dhe letërsisë dhe duke qenë se kam qenë i angazhuar në politik unë e kam parë më afër këtë situatë politike gjatë katër viteve”. Më tej ai cilësoi se “Ky libër ka qenë një mision, mbase duket një fjalë e madhe por me thënë të vërtetën unë e kam parë në mënyrë modeste, duke qenë politik, duke qenë shqiptar dhe aktor i jetës politike jam munduar të dokumentoj historinë apo kronikën e saj. E kam ndier si detyrim të shkruaj për zhvillimet politike dhe së bashku me kolanë time artistik, kam dhe kolanë time të librave politik”. Sipas analistit Henri Çili, elementi kryesor i këtij libri është fakti që ka një autopsi të fenomenit politik shqiptar i cili shpesh herë është i mbuluar nga marrëdhëniet publike, nga zhurma, propaganda dhe nga agjenda e ngjarjeve dhe ku shpesh kanë një pamje të trishto të këtij realiteti. Më tej ai tha se “Preç Zogaj është koherent në mënyrën sesi e shikon tërësinë e ngjarjeve, është intuitiv për të parë shkaqet dhe pasojat e ngjarjeve. Universiteti Europian i Tiranës ka kënaqësi të veçantë të botojë përmbledhjen e pesë librave të parë dhe përgatiti publicistikën 20-vjeçare të Preç Zogajt e cila për nga cilësia dhe fuqia e refleksionit për mendimin tim është diçka e klasit të parë. Gjëja e fundit që doja të thoja është inkurajimi i të shkruarës, i derivateve, i publikimeve mbi tranzicionin shqiptar pasi koha kalon shpejt dhe shumë pak shkruajnë mbi atë tranzicion”. “Ky libër pasqyron disa nga zhvillimet kryesore politike në periudhën 2005-2009 dhe respekton kronologjinë politike dhe pse në këtë libër ka një fill që organizon të gjithë kolanën. Në rastin e fundit kemi të bëjmë me disa procese që kanë sjell në shpërbërjen e spektrit politik në disa aspekte. Kjo është një dukuri që ka shumë analizë jo vetëm nga unë por edhe nga figura të shquara të politikës. Kemi një element të veçantë pasi spektri i vjetër politik fillon të shpërbëhet dhe të shihet qartë prirja e ndërtimit të një kotonie të re siç themi ne në gjuhën profesionale. Jeta politike shqiptare na tregon se akoma nuk është stabilizuar me kuptimin klasik të fjalës ka shumë kryqëzime mbi të djathtën dhe të majtën. Ky libër tenton të sjell disa fakte- shprehu Zogaj, nuk pretendoj se kam sjell botim shfrenues të këtij fenomeni por janë sjell disa fakte dhe nëpërmjet disa fakteve kemi ndërtuar një fabul që është fabula e lëvizjes së gjallë politike gjatë këtyre viteve”-përfundoi fjalën e tij shkrimtari dhe politikani Preç Zogaj. Zogaj ka një kolanë librash politik si; “Rënia e zgjedhjeve” (1997), “Vera e përjetshme” (1998), “Lufta civile” (1999), “Paradhoma e një presidenti” (2001), “Nga hiri” (2003), “Finalja” (2005).

3 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›