E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti i 4 presidentëve të rajonit, diskutohen çështjet "e nxehta"

Presidentët e katër vendeve të rajonit, Filip Vujanoviq, President i Malit të Zi, Bamir Topi, President i Republikës së Shqipërisë, Gjorgi Ivanov, President i Maqedonisë dhe mikpritësi, Presidenti Fatmir Sejdiu filluan maratonën e takimeve në kuadër të samitit rajonal. Pas mbërritjes së Presidentit shqiptar Bamir Topi, sot rreth orës 10:00 të mëngjesit, katër presidentët kanë zhvilluar një takim të përbashkët, në terracën e Hotel “Sharrit”, pas të cilit kanë nisur takimet e ndara dy nga dy të presidentëve, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit dhe tejkalimin e problemeve të ndryshme rajonale.

Sipas axhendës zyrtare, tashmë ka përfunduar pjesa e parë e punimeve me përmbylljen e takimeve bilaterale ndërmjet katër presidentëve, secili me secilin. Fillimisht janë takuar presidenti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë si dhe paralelisht është mbajtur takimi tjetër ndërmjet presidentit të Maqedonisë dhe atij të Malit të Zi. Në formë rotacioni, takime të tilla janë zhvilluar deri në mesditë për ti lënë vendin një dreke të përbashkët pune. Presidenti kosovar Sejdiu dhe ai malazez Vujanoviq në axhendën e diskutimeve vendosën statusin e pakicës malezeze në Kosovë, një problem ky i pazgjidhur që mban peng shkëmbimin e ambasadorëve në mes të Podgoricës dhe Prishtinës. Ndërsa në takim me Presidentin maqedon Ivanov kreu i shtetit të Kosovës hapi cështjen e dyshimeve për ekzistencën e varrezave masive në territorinë e Maqedonisë, me trupat e pajetë të shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë kohës së luftës në vitin 1998-1999.

I vetmi nga presidentët e rajonit që nuk është ftuar në këtë takim është presidenti i Serbisë Boris Tadiq, i cili sipas zëdhënësit Beqiri nuk ka mundur të jetë i ftuar sepse vendi i tij nuk e ka njohur republikën e Kosovës. Ky takim i liderëve rajonal për të parën herë organizohet në Kosovë. Samiti mbahet nën masa të rrepta sigurie dhe për përcjelljen e tij janë akredituar më shumë se 100 gazetarë. Takimi i Prizrenit është i treti me radhë dhe pasohet pas takimeve të mbajtura në Vlorë dhe në Ohër. Vlerësohet se ky takim shënon forcimin e rolit që Kosova ka në rajon dhe thuhet të shënojë një fazë të re të bashkëpunimit. Mosmarrja pjesë e presidentit të Serbisë, thonë analistët, e zbehë në masë të madhe peshën e këtij takimi, kjo edhe për faktin se problemet më të mëdha të hapura janë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sidoqoftë besohet se ky samit do të jetë një shtysë në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet katër vendeve pjesëmarrëse të takimit.

Bul Salihu Azhornuar së fundi ( e shtunë , 26 qershor 2010 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›