Berisha, Fajon: Do të plotësohen kërkesat për heqjen e vizave
Qeveria shqiptare do të përmbushë çdo kërkesë të Komisionit Evropian drejtuar Shqipërisë për liberalizimin e vizave. Kjo është garancia e Kryeministrit Sali Berisha, i cili priti dje në një takim eurodeputeten Tanja Fajon, e cila hartoi rezolutën në Parlamentin Evropian në mbështetje të liberalizimit të vizave për Shqipërinë. Gjatë këtij takimi, Berisha dhe Fajon diskutuan për hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për këtë proces si dhe për kushtet e fundit që duhet të plotësohen për liberalizimin e vizave. Fajon u shpreh se puna e qeverisë shqiptare për të ndryshuar vendin është e dukshme. “Këta muajt e fundit, - nënvizoi europarlamentarja Tanja Fajon, - ju keni bërë hapa të mëtejshëm përpara në plotësimin e kritereve të kërkuara për liberalizimin e vizave. Unë e shoh qartësisht vendosmërinë e qeverisë suaj për të arritur kriteret dhe standardet e kërkuara për liberalizimin e shpejtë të vizave për shqiptarët”, - tha Fajon. “Komisioni Evropian, - vijoi zonja Fajon, - do të dërgojë një delegacion në Shqipëri brenda këtij viti për të parë hapat që ka bërë vendi dhe unë uroj dhe jam e bindur që brenda marsit të vitit tjetër të gjitha kërkesat dhe kriteret do të arrihen, në mënyrë që në verën e vitit të ardhshëm shqiptarët të mund të lëvizin pa viza. Dhe unë e shoh qartësisht vendosmërinë e qeverisë suaj për të arritur këto kritere”. Kryeministri Berisha u shpreh se liberalizmi i vizave është një ëndërr për shqiptarët dhe se çdo kërkesë e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave do të plotësohet me përkushtim dhe vendosmëri nga qeveria shqiptare. “Qeveria shqiptare, - tha Kryeministri, - ka një bilanc pozitiv në luftën kundër krimit të organizuar në vend, duke pasur një politikë të tolerancës zero kundër krimit”. Në këtë aspekt Kryeministri nënvizoi se po modernizohet kontrolli i kufijve të Shqipërisë dhe është fakt mjaft pozitiv që falë kësaj lufte vendi ka një indeks të ulët të kriminalitetit, më të ulët se mesatarja e vendeve të BE.