E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Për vizat presim bashkëpunimin e opozitës



Liberalizimi i vizave është në hapin e fundit. Ky është konstatimi i zëvendëskryeministrit, njëherësh ministrit të Jashtëm. Gjatë konferencës së djeshme “Regjimi pa viza për Shqipërinë – hapat e fundit”, Meta tha se ekspertët e BE-së kur të vijnë në dhjetor do të gjejnë standarde të plotësuara. “Tashmë ne jemi në hapat e fundit, sikurse e cilëson qartë edhe titulli i kësaj konference. Jemi të bindur që ky progres thelbësor do të konstatohet dhe nga vetë ekspertët që do të vizitojnë Shqipërinë. Në dhjetor presim misionin e parë vëzhgues për bllokun 1 dhe misionet për blloqet e tjera do të pasojnë në fillim të vitit të ardhshëm. Ne kemi besim se propozimi i Komisionit Evropian do të jetë pro heqjes së vizave me Shqipërinë”, - deklaroi Meta. Duke qëndruar në këtë çështje, ai garantoi se qeveria do të vijojë me punën e saj. Meta garantoi shpejtësi në realizimin e detyrave të fundit. “Qeveria do të vazhdojë të monitorojë ecurinë e punës në terren dhe do të marrë të gjitha masat që ky proces të ruajë dinamikën e tij, përtej liberalizimit të vizave. Aktivizimi i plotë i të gjitha grupeve të punës, deri në nivelin më të lartë të Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave do të sigurojë rritjen e shpejtësisë së veprimit dhe reagimit ndaj çdo lloj parregullsie apo problemi që haset. Synimi ynë është që i gjithë ky ushtrim i mirëkoordinuar të kthehet në mentalitet të ri pune, për çdo punonjës të administratës”, - tha më tej ministri. Meta tha më tej se qeveria është e vendosur të bashkëpunojë edhe me opozitën dhe me të gjitha grupet e interesit. “Në këtë kuadër do të theksoja se qeveria është e vendosur të bashkëpunojë me opozitën, për vetë rolin e pazëvendësueshëm që ajo ka në proceset e integrimit evropian, shoqërinë civile, grupet e interesit dhe çdo aktor tjetër të interesuar për mbylljen me sukses të procesit të liberalizimit të vizave, si dhe më gjerë, në kuadër të reformave për përgatitjen e vendit për statusin kandidat”, - tha Meta në fjalën e tij. Sipas ministrit të Jashtëm, liberalizimi i vizave është një proces historik për shqiptarët dhe jetik për shoqërinë. “Fakti që lëvizja pa viza e qytetarëve shqiptarë drejt hapësirës “Shengen” konsiderohet një proces jetik për shoqërinë tonë, nuk përbën më surprizë për askënd. Shqipëria, si një vend që ka përjetuar izolimin më të madh dhe të gjatë nga të gjitha vendet e tjera të bllokut lindor, pa dyshim ka dhe sensibilitetin më të madh dhe përjetimin më të thellë të çdo procesi, propozimi dhe vendimi që lidhet me liberalizimin e vizave”, - deklaroi Meta në konferencën e djeshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›