E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri për parakalimin, plagosen me thikë dy vëllezër

 

TIRANE -Dy vëllezër mbetën të plagosur rëndë me thikë, nga drejtuesi i një mjeti me të cilin dy të dëmtuarit patën një konflikt për parakalimin e makinave. Ngjarja ndodhi mesditën e së enjtes, në rrugën “Frosina Plaku” në kryeqytet, ndërsa autori i ngjarjes është arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Burime nga policia thanë se të plagosur kanë mbetur vëllezërit Euglend dhe Julindo Meço, përkatësisht 26 dhe 22 vjeç. Sipas policisë, autori i dyshuar i ngjarjes është 33-vjeçari, Jetnis Dollapi, i cili është arrestuar nga efektivat e Komisariatit Nr.2 të Tiranës, të cilët kanë mundur të sekuestrojnë edhe thikën me të cilën dyshohet se është kryer plagosja e vëllezërve. Arma është dërguar në Laboratorin e Kriminalistikës për ekzaminim. Sipas dëshmive të dy vëllezërve të plagosur, të cilët aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Ushtarak, ngjarja ka ndodhur pas një sherri mes tyre dhe autorit, pasi këta e kanë parakaluar makinën me të cilën ai po udhëtonte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›