E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vejushat e zeza”, historitë e grave vrasëse në Shqipëri



TIRANË - Rasti i Evangjelina Zhargës, që këto ditë ka bërë jehonë në shtypin grek, e jo vetëm, për vrasjen e një 42-vjeçari dhe më pas betonimin e tij, nuk është i pari. Në Shqipëri nuk mungojnë ngjarjet e rënda ky autore të tyre janë femrat. Të quajtura si “seksi i dobët”, femrat, në raste të caktuara, kanë marrë në dorë situatën dhe gjithçka ka përfunduar me vdekjen, përgjithësisht, të bashkëshortëve të tyre. Por nuk kanë munguar dhe rastet kur viktima kanë qenë persona të tjerë, të afërm apo jo. Gjatë viteve të historisë, gra të dhunshme dhe gra me tendenca për t'u bërë të dhunshme, kanë dalë në pah nga vende dhe shtete të ndryshme, duke e shndërruar shtëpinë dhe familjen e tyre në skena krimi dhe legjenda. Ndërkohë që krimet më të rënda të kryera në të gjitha kohërat u përkasin me të drejtë meshkujve, femrat nuk kanë qenë gjithnjë aq të buta dhe delikate sa duken në jetën e përditshme. Para se të hyjmë në detajet e fenomenit "Vejusha e zezë" duhet bërë një analizë e rolit të rëndësishëm të femrës në botën e krimeve të dhunshme.
Arsyet
Janë nga më të ndryshmet, por të gjitha kanë një përfundim; vrasjet e kryera nga femrat zakonisht kanë motive personale, kryesisht dashurie, por nuk kanë munguar dhe rastet kur femrat janë hakmarrë për krime që u janë bërë nga personat e tjerë. Rastet më të shpeshta të krimeve të bëra nga femrat janë ato kur kanë qëlluar bashkëshortët e tyre. Dhe arsyet për këto krime kanë qenë në të gjitha rastet gati të njëjta. Duke filluar nga keqtrajtimi, i cili zë një përqindje të madhe në arsyet që kanë detyruar femrat t'u kundërvihen burrave, e duke përfunduar te tradhtia apo prishja e parave. Duke mos lënë pas mospranimin e atësisë, që është motivi kryesor që e detyron një nënë të ardhshme të qëllojë mbi njeriun më të dashur. Madje dashuria e femrës për bashkëshortin shkon deri në vetëflijim.
Rastet
Disa prej grave që kanë bërë krime, përgjithësisht janë vetëdorëzuar, por disa e kanë fshehur për muaj apo edhe për vite me radhë. Kanë duruar mbi supet e tyre lloj-lloj poshtërimesh, sa i kanë bërë që të arrijnë të mbajnë sekret edhe krimin, i cili është zbuluar më pas duke i çuar në burg. 28 për qind e femrave të dhunshme janë të reja dhe disa prej tyre minorene. Tre ndër katër viktima të femrave të dhunshme ishin pikërisht femra. Katër nga 10 femra që kryejnë akte të dhunshme janë perceptuar nga viktimat se kanë qenë nën efektin e alkoolit, drogës apo të dyja së bashku gjatë momentit të krimit.
Në vitin 1991, Eric Hickey i ka ndarë femrat vrasëse në dy kategori të ndryshme: vejushat e zeza (të cilat lidhen dhe martohen vetëm për një qëllim të caktuar: për të vrarë burrat e tyre për arsye financiare) dhe engjëjt e vdekjes (vrasësit e mëshirës, që vrasin dikë, për të cilët duhet të kujdesen - p.sh. fëmijën, nënën, gjyshen - për pushtet dhe ndoshta vetëm për të tërhequr vëmendjen). Megjithatë, gjatë viteve 1990, për arsye se motivet e vrasjeve të femrave u shtuan dhe fokusi mbi vrasësit, viktimat dhe arsyet e tyre u thelluan, pasardhësit e Hickey-t e shtuan listën e tij duke evidentuar disa kategori të tjera vrasësesh të paskrupullta.

“Gruaja merimangë”, në hetim dhe për disa vrasje të tjera
ATHINË - Në vrasjen e biznesmenit grek, Tasos Tsagaropulos, ka marrë pjesë dhe një person i tretë, veç shqiptares Evangjelina Zharga dhe burrit të saj të pestë, i cili ka ndërruar jetë një vit më parë. Detajet e hetimit janë zbardhur nga avokati i 54-vjeçares shqiptare, Vasilis Taksos. Sipas tij, gjatë hetimeve është zbuluar se në vendin e krimit ka qenë dhe një person i tretë, deri tani i paidentifikuar, që ka marrë pjesë në vrasjen dhe betonimin e 42-vjeçarit grek. Gjatë ditës së djeshme, shqiptarja nga Saranda është paraqitur në Gjykatën e Patrës ku ka dhënë shpjegime në lidhje me krimet për të cilat është vënë nën akuzë. Gazeta greke “Espresso” ka bërë të ditur se veç rasteve të konfirmuara, policia helene ka nisur hetimet dhe për vdekjen e bashkëshortit të pestë të shqiptares, i cili ndërroi jetë në spital, pas një sëmundjeje. Gjithashtu, e njëjta media thekson se policia ka nxjerrë nga sirtarët dhjetëra dosje të rasteve më të çuditshme të vdekjeve dhe zhdukjes së personave të ndryshëm, kryesisht të moshuar. Veçanërisht hetimet janë përqendruar në vdekjen e tre të moshuarve të pasur në Kalavryta, Patra dhe Spata, të cilët u kishin lënë me testament pasurinë e tyre disa personave me të cilët nuk kishin asnjë lidhje gjaku. Policia greke ka kërkuar nga prokuroria leje për zhvarrimin e tre kufomave dhe ekzaminimin dhe njëherë të tyre, për të hequr të gjitha dyshimet në lidhje me vdekjet e tre të moshuarve. Hetimet janë marrë në dorë nga efektivët e një njësie speciale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë greke në Athinë. Këta të fundit kanë marrë kontakt dhe me të afërmit e viktimave. I dyshimtë është rasti i vdekjes së një 90-vjeçari, i cili në mënyrë të papritur ndërroi jetë.

RASTET

Korçë, 20 prill 1999
E ndihmuar nga babai i saj vret bashkëshortin, pasi ai e keqtrajtonte çdo natë. Ruzhdije Selimi është arrestuar nga uniformat blu së bashku me babanë e saj, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vrarë bashkëshortin Kadri Selimi. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Korçës më 20 prill të vitit 1999. 37-vjeçarja Ruzhdije Selimi e ka pranuar para uniformave blu veprën për të cilën akuzohej, duke e justifikuar me faktin që nuk i duronte dot më keqtrajtimet që i bënte çdo natë bashkëshorti i saj.

Fushë-Krujë, 16 qershor 2003
Mimoza Shota ekzekutoi me dy plumba pistolete, në tregun e Fushë-Krujës, të dashurin e saj 27-vjeçar, Shkëlqim Shima. Ngjarja ka ndodhur mesditën e datës 16 qershor të vitit 2003, sepse sipas saj, e kërcënoi për të abortuar. Shota, në një distancë shumë të afërt, nuk ka ngurruar t’i drejtojë pistoletën “TT” të dashurit të saj, babait të foshnjës që mbante në bark, duke e shkrehur dy herë atë mbi trupin e Shkëlqimit. Distanca e vogël ka bërë që mbi Shkëlqimin të shkaktohen plagë të rënda, duke shkaktuar më pas edhe vdekjen e tij.

Tiranë, 14 nëntor 2004
Helmon burrin me helm në gjellë dhe e fsheh krimin për gjashtë muaj me radhë. Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në fshatin Pezë-Helmes, në periferi të Tiranës. Burime nga policia bënë të ditur se Vera Qevani ka helmuar bashkëshortin Ferit Qevani, duke i hedhur helm në gjellë, i cili gjeti vdekjen në spital. Ajo është arrestuar gjashtë muaj pas vrasjes. Rreth një javë para arrestimit, pas një grindjeje banale me djalin 15-vjeçar, i thotë se do ta pësonte njësoj si babai i tij. I irrituar nga kjo thënie e mamasë, djali i tregon të gjithë bisedën xhaxhait. Ndërsa ky i fundit shkon në komisariat dhe realizon një denoncim ndaj kunatës për vrasjen e vëllait të tij.

Selanik, 7 mars 2005
Një shqiptare 24-vjeçare ka vrarë për motive xhelozie ish-të dashurin grek. Ngjarja ka ndodhur më 7 mars të vitit 2005, kur 24-vjeçarja Anastasi Sotiri ka vrarë për konflikte 45-vjeçarin grek Jorgos Juanidis. 24-vjeçarja jetonte dhe punonte në Selanik, ku dhe dashurohet me 45-vjeçarin. Kjo lidhje ka zgjatur për disa vite, por është shoqëruar me shumë kontradikta që çuan në ndarjen e çiftit. Por, edhe pas ndarjes, vajza shqiptare vazhdonte të ushqente ndjenja për të ish-të dashurin dhe duke mos arritur të përtypë një tjetër lidhje që ai kishte krijuar, e ekzekuton me tre plumba pistolete.

Korçë, 1 dhjetor 2005
“E vrava fëmijën për t’u hakmarrë ndaj xhaxhait të tij. Kisha sakrifikuar shumë për të, kurse ai më tradhtonte me gra të tjera. Ato ditë iku me një femër në Greqi dhe isha shumë e nervozuar”,- deklaroi Liljana Mulliri, 40-vjeçarja nga Vidohova, krimin e saj të tmerrshëm. Fare e qetë, aq sa i ka çuditur hetuesit, nëna e tre fëmijëve ka treguar si e futi fëmijën në dyqanin e saj dhe si e bëri copa-copa me sëpatë. Një rrëfim i llahtarshëm që ka nxjerrë në shesh edhe diçka tjetër: xhaxhai i të voglit e kishte marrë vesh vrasjen që të nesërmen e krimit.

Tiranë, 15 mars 2007
Më 15 mars të këtij viti, familja Pajana në Baldushk të Tiranës kishte mbaruar darkën dhe fëmijët kishin dalë jashtë, përveç vajzës 13 vjeçe. Sapo Aishja ngriti pjatat nga tavolina, nuk ngurroi të rrëmbente një copë dru që e mbanin në shtëpi për bagëtinë. Goditjen e parë Hasan Pajana, bashkëshorti i Aishes, e ka marrë prapa kokës dhe u shemb në dyshemenë e shtëpisë. Vajza 13 vjeçe afroi gomarin dhe trupi i pajetë u ngarkua për t’u dërguar në kodrinën që ndodhej rreth 500 metra larg shtëpisë, ndërsa u hapën fjalë që Hasani kishte shkuar në Greqi. Ka mjaftuar vetëm një muaj që gruaja t’i tregojë policisë gjithë ngjarjen e më pas të zbulojë kufomën e Hasan Pajanës, të cilën e kishte groposur afër shtëpisë.

Elbasan, 30 maj 2010
Kunata vret kunatën. Vrasja ndodhi në fshatin Shalës, rreth 12 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Autore e dyshuar e vrasjes është një grua tjetër, kunata e së ndjerës. Viktima është Esma Xibraku 43 vjeçe, kurse autore e krimit, kunata e saj 37-vjeçare, Antoneta Hysa. Policia tha se ka arrestuar në kushtet e flagrancës të dyshuarën e krimit. Hetimet e para flasin për një hakmarrje.

28 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›