E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimi i pronës për të gjitha zonat e Tiranës



Laureta Rryçi
Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, tokë dhe ndërtesë, tatohet me 10 për qind të fitimeve kapitale të realizuara. Ky paragraf nuk zbatohet në rastet e shkëmbimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën me të drejtën e pronësisë mbi ndërtesën e ndërtuar mbi tokë. Në këtë rast tatimi i të ardhurave kryhet sipas procedurës së dhënë në nenin 20 të Ligjit Nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar. Individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme, paguan tatimin para kryerjes së regjistrimit të kësaj pasurie. Tatimi përllogaritet sipas tabelës së mëposhtme. Për pronën për të cilën po kryhet dhe veprimi merret parasysh zona ku ndodhet, sipërfaqja dhe për çfarë do të shërbejë. Në bazë të këtyre të dhënave, specialistët bëjnë përllogaritjen mbi tatimin që i takon të paguajë qytetari. Kjo pagesë është e detyrueshme pasi në të kundërt, pasuria e paluajtshme nuk regjistrohet pa provuar pagimin e detyrimit pranë zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Sipas udhëzimit të ministrit të Financave, që rregullon këtë procedurë, me kalim të së drejtës së pronësisë kuptohet akti i shitjes apo akti i dhurimit të pasurisë së paluajtshme. Në kuptim të nenit 11 të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, me termin “fitim kapital i realizuar” kuptohet diferenca ndërmjet vlerës në shitje dhe vlerës në blerje të pasurisë ndërtesë apo tokë.
Vlera e pasurisë
Vlera në shitje e pasurisë së paluajtshme përcaktohet në kontratën e noterizuar të shitjes, e cila është firmosur nga palët (shitësi dhe blerësi). Kontrata duhet të shprehë sipërfaqen në metër katror të pasurisë, çmimin për metër katror dhe vlerën e saj. Ajo duhet të jetë e shoqëruar me hartën, planimetrinë dhe dokumentet e tjera që shërbejnë për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme. Në rastet kur individi e kalon pronësinë për herë të dytë e në vazhdim, për efekt të llogaritjes së fitimit kapital të realizuar do të merret diferenca midis vlerës së shitjes dhe vlerës së blerjes e përcaktuar në kontratën paraardhëse. Përcaktimi i vlerës në shitje bazohet në kontratën e shitjes së pasurisë. Në rastet kur çmimi i shitjes për m2 i përcaktuar në kontratë është më i ulët se çmimi minimal i përcaktuar në tabelën e mëposhtme, zbatohen këto të fundit për efekt të llogaritjes së tatimit. Përcaktimi i vlerës në blerje, bazohet në kontratën paraardhëse të blerjes. Përjashtim nga ky rregull i përgjithshëm përbëjnë rastet e mëposhtme.
Ndërtesat
Për ndërtesat e ndërtuara dhe të regjistruara deri në datën 31 dhjetor 1995, të cilat nuk kanë vlerë në blerje, si dhe ndërtesat e privatizuara me Ligjin Nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore” i ndryshuar, për efekt të përcaktimit të tatimit për kalimin e së drejtës së pronësisë, si vlerë minimale në blerje do të merret kosto mesatare për m2 e sipërfaqes së shfrytëzueshme, të përcaktuara nga Enti Kombëtar i Banesave, në VKM-në Nr. 815 datë 9.12.1996. Për ndërtesat e ndërtuara dhe të regjistruara nga 1 janari 1996, deri më 31 dhjetor 2002, të cilat nuk kanë vlerë në blerje, për efekt të përcaktimit të tatimit për kalimin e së drejtës së pronësisë, si vlerë minimale në blerje do të merret kostoja mesatare për m2 të sipërfaqes së shfrytëzueshme e përcaktuar nga Enti Kombëtar i Banesave në: Vendimet e Këshillit të Ministrave: VKM Nr. 815, datë 09.12.1996; VKM Nr. 13, datë 05.01.1998; VKM Nr. 214, datë 28.04.1999; VKM Nr. 362, datë 14.07.2000. Udhëzimet e kryeministrit nr. 5, datë 31.05.2001 dhe nr. 3, datë 16.10.2002.
Për ndërtesat e ndërtuara dhe të regjistruara pas 1 janarit 2003, të cilat nuk kanë vlerë në blerje, për efekt të përcaktimit të tatimit për kalimin e së drejtës së pronësisë, si vlerë minimale në blerje do të merret kostoja minimale fiskale e përcaktuar në Marrëveshjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve me Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë dhe në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 173, datë 29.03.2006 “Për miratimin e kostos minimale fiskale në ndërtim dhe për mënyrën e përcaktimit të çmimit të shitjes së banesave”. Për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë nëpërmjet dhurimit, transaksioni konsiderohet i tatueshëm dhe për efekt të llogaritjes së detyrimit tatimor do të veprohet si në rastin e kalimit të së drejtës së pronësisë, tokë dhe ndërtesë, nëpërmjet aktit të shitjes.

Përllogaritja e tatimit kur pasuria është truall ose tokë

Në rastin e shitjes së një ndërtese të përfituar nga këmbimi i truallit, në bazë të një kontrate këmbimi, si çmim i blerjes do të konsiderohet një nga çmimet e përcaktuara në tabelën e mëposhtme. Në rastin e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën, për efekt të përcaktimit të detyrimit tatimor, si çmim minimal i shitjes do të merret çmimi i përcaktuar në VKM Nr. 555, datë 29.08.2007, VKM Nr. 653, datë 29.09.2007, dhe VKM Nr. 139, datë 13.02.2008. Në rastet e shitjes njëkohësisht të tokës truall dhe të ndërtesës “njollë” brenda këtij trualli, për përllogaritjen e detyrimit tatimor do të merren në konsideratë të dyja elementet: vlera e shitjes së ndërtesës dhe vlera e shitjes së truallit. Vlerat e shitjes së ndërtesës dhe truallit nuk duhet të jenë më të vogla se çmimet minimale përkatëse të përcaktuara në tabelën e mëposhtme.

Shembull:

Një shoqëri ndërtimi i ka shitur individit A një apartament me vlerën 5 000 000 lekë. Ky individ e shet këtë apartament pas disa vjetësh te një individ tjetër B për 6 000 000 lekë.

Individi A do të tatohet me 10% të diferencës midis vlerës së shitjes 6 000 000 lekë dhe vlerës së blerjes 5 000 000 lekë.

Pra 10% x (6 000 000-5 000 000) = 100 000 lekë do të jetë tatimi mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë, i cili paguhet nga individi A.

TABELA E ÇMIMEVE MINIMALE TË SHITJES SË NDËRTESAVE
PËR QYTETIN E TIRANËS
Në lekë
NR ZONAT SIPAS HARTËS BASHKËNGJITUR Çmimet minimale të shitjes për efekt fiskal (Lek/m2) Viti 2008
1 1/1 79300
2 1/2 61000
3 2/1 152500
4 2/2 109800
5 2/3 97600
6 2/4 61000
7 3/1 63440
8 3/2 61000
9 4/1 61000
10 4/2 61000
11 5/1 152500
12 5/2 122000
13 5/3 79300
14 5/4 73200
15 6 61000
16 7/1 109800
17 7/2 109800
18 7/3 85400
19 7/4 63440
20 8/1 95160
21 8/2 76860
22 8/3 63440
23 9/1 122000
24 9/2 103700
25 9/3 73200
26 10/1 122000
27 10/2 115900
28 10/3 109800
29 11/1 79300
30 11/2 67100
31 11/3 61000
32 Komuna Farkë 73200
33 Komuna Dajt 61000
34 Komuna Kashar 48800

Shënim:
1- Çmimi për 1 m2 sip. ndërtimi për dyqane mallrash apo shërbimesh është 2 herë më i lartë se çmimi i sipërfaqeve të banimit sipas zonave.
2- Çmimi për 1 m2 sip. ndërtimi për garazh të mbuluar është 70 për qind e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas zonave.
3- Çmimi për 1 m2 sip. ndërtimi zyra është i njëjtë me çmimin e sip. të apartamenteve.
4- Çmimi për 1 m2 sip. ndërtimi për parkim i hapur është 30 për qind e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas zonave.
5- Për ndërtesat e privatizuara me Ligjin Nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore” i ndryshuar, çmimi për m2 është 70 për qind e çmimit sipas zonave të tabelës.
6. Për ndërtimet në komunat e tjera të Tiranës, çmimi minimal llogaritet 36,600lekë/m2.

28 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›