E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti i Ohrit Mungon Kosova

 

Presidenti Branko Cërvenkovski nuk ka ftuar presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu në takimin e shefave të shteteve të Evropës Qendrore që do të mbahet në Ohër më 2 dhe 3 maj. Kabineti i presidentit maqedonas ka dhënë arsyet se pse nuk është ftuar presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. "Përgatitjet kanë filluar para një viti, atëherë kur Kosova nuk ka qenë e pavarur. Procesi për njohje të Kosovës ende vazhdon, kështu që nuk mund të përfundoje deri në mbajtje të Samitit", ka theksuar Zoran Ivanov, shef i shërbimit për informim i Cërvenkovskit, duke e mbrojtur presidentin maqedonas se nuk është ai që bënë ftesat."Presidenti i Maqedonisë nuk i ka bërë ftesat", ka thënë shkurt Ivanov, duke mos treguar se kush i përgatit ato. Në kabinetin e presidentit kosovar, Sejdiu nuk kanë informata rreth këtij takimi të presidentëve. Zëdhënësi i Sejdiut, Xhavit Beqiri ka theksuar se ftesë zyrtare nuk ka ardhur te presidenti kosovar, megjithëse e do të ishte e mirëpritur."Në Samitin që organizon Maqedonia në Ohër me siguri se do të flitet edhe për Kosovën, dhe mosprezenca e presidentit tonë do të ishte e pakuptimtë. Kosovën si shtet e njohin shtetet më të mëdha të botës, megjithëse qëndrimi ynë është i njohur - bashkëpunim të ndërsjellë me të gjitha vendet e rajonit, e në veçanti me Maqedoninë", ka thënë Beqiri. Ndërkohë, kabineti i presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi nuk ka komentuar vendimin e Cërvenkovskit që në këtë Samit të mos marrë pjesë presidenti kosovar. Dashamir Xhaxhiu, zëdhënës i presidencës shqiptare në Tiranë ka theksuar se qëndrimi i Bamir Topit do të bëhet i njohur ditët e ardhshme, atëherë kur të njoftohet me axhendën dhe temat e Samitit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›